E çuditshme / Vllaznia në krye të Superiores, por administratori jep dorëheqjen

228

Administratori i Vllaznisë, Benjamin Naku, ka dhënë dorëheqjen e parevokueshme nga posti i tij brenda ekipit që po kryeson Superioren.

Sipas tij, duke iu referuar sponsorit të klubit, Alban Xhaferrit,  “ai mbetet një sponsorizues i aktivitetit sportiv të KF “Vllaznia” dhe në asnjë mënyrë nuk mund t’i jepen kompetenca të “presidentit” apo administratorit, sepse ligji nuk e lejon një gjë të tillë”.

Më tej ai sqaron se marrëveshja për sponsorizim me Xhaferrin, e firmosur nga Bashkia Shkodër, “nuk mund të zëvendësojë bazën ligjore të funksionimit të një shoqërie tregtare me kapital 100% publik, siç është KF “Vllaznia” sh.a. dhe aq më pak, ta kundërshtojë atë, sepse do të bënte të pavlefshme juridikisht zbatimin e saj dhe vendimeve të marra bazuar në të.

Naku shton se edhe pse “gjatë vitit 2020, deri në momentin e këtij njoftimi, Bashkia Shkodër e ka mbështetur KF “Vllaznia” me një buxhet prej 44 milion lekësh, ndërsa Sponsori ka dhënë 3 milion lekë”, sponsori “ka vendosur emrin e vet ne kostumet sportive të ekipit të parë dhe të Akademisë, si dhe ka marrë në përdorim gjithë hapësirat e reklamës në stadium, që vlejnë shumë më tepër se sa kontributi i tij financiar”, diçka që sipas tij është kundra hapësirave ligjore të barabarta në procesin e privatizimit.