Policët e kapën me forcë nga qafa Alfred Lelën dhe e hodhën fluturimthi mbi kangjellat

284

Avokati i Popullit ka publikuar një raport për atë që ndodhi tek Teatri Kombëtar, që u shemb pak muaj më parë.

Në të, theksohet “dhuna” ndaj Alfred Lelës.

“Një episod nga protesta për Teatrin Kombëtar që u dha më zë në media ishte ai i gazetarit Alfred Lela.

Pamjet filmike kanë dokumentuar qartë veprimet e tij dhe të punonjësve të policisë. Vetë z. Lela nuk ka paraqitur ankesë në Institucionin e Avokatit të Popullit. Ankesën ai e ka bërë publike para mediave.

Institucioni i Avokatit të Popullit, në zbatim të të drejtës së tij për të marrë në shqyrtim edhe raste me nismën e tij, kur ato janë bërë publike, ka analizuar veprimet e punonjësve të policisë me z. Lela.

Gazetari Lela ka qenë i pranishëm në protestën që ka pasuar shembjen e TK. Pamjet tregojnë gazetarin Lela, i cili bashkë me disa qytetarë të tjerë qëndron pas kangjellave që ka vendosur bashkia në krah të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për të ndarë rrugën e këmbësorëve nga ajo e makinave.

Në këtë çast, tre punonjëse të policisë mbajnë nga duart një shtetase në rrugën e makinave.

Gazetari Lela kapërcen kangjellat dhe i afrohet punonjësve të policisë, kap nga duart njërën prej tyre dhe i drejtohet me fjalë.

Menjëherë mbrapa tij vijnë një punonjës policie me uniformë dhe dy të veshur civilë, të cilët e kapin me forcë nga qafa gazetarin Lela, e tërheqin në drejtim të Ministrisë së Brendshme dhe e hedhin fluturimthi mbi kangjellat duke e shembur në tokë ku edhe prangoset.

Edhe në këtë rast i referohemi parimit të proporcionalitetit kur përdoret forcë. Masa për të shmangur rrezikun duhet të jetë në proporcion me shkallën e rrezikshmërisë, të drejtat dhe interesat që vihen në rrezik dhe/ose cenohen, si dhe nuk duhet të përbëjë kapërcim të kufijve të nevojës për situatën e paraqitur.

Pamjet tregojnë qartë se veprimet e gazetarit Lela dhe rrethanat e këtij çasti nuk paraqisnin rrezikshmëri për punonjësit e policisë sa të justifikonin marrjen e tij me forcë duke e shtrënguar në qafë dhe mandej duke e shembur në tokë”, thuhet në raport.

Nëse do të merret seriozisht me atë që ndodhi, Avokati i Popullit duhet të raportojë së pari për titullarët e lartë, jo veç për policët e thjeshtë të cilët vetëm sa kanë zbatuar urdhërat që i kanë dhënë.