Koronavirusi i merr jetën mësuesit 60-vjeçar

260

Koronavirusi i ka marrë jetën një mësuesi nga Fieri. Bëhet fjalë për mësuesin Gramoz Abedinaj nga Roskoveci i moshës 60 vjeçare.

Ai kishte shfaqur simptoma të COVID-19 para disa ditësh dhe faktkeqësisht nuk mundi të mbijetonte.

Kolegët dhe miqtë e tij shprehen të hidhëruar për këtë humbje pasi e përshkruajnë si model të prindit të përkushtuar.

Nuk e meritoje miku im në këtë moshë kaq të re, kur kishe ende rrugë të gjatë për të bërë në rrugën tënde si mësues, kur kishe rrugë të gjatë gëzimi të bëje me fëmijët e tu që po rriteshin dhe edukoheshin. Na trishtove mik i mirë, na godite se ishe dhe do të mbetesh Mozi buzëqeshur, i edukuar, i papërtuar. Ishe modeli i prindit të përkushtuar në maksimum. Ishe një koleg që kur nuk njohje inate, mërira, prapaskena. Kishe ndershmërinë si virtyt. Të gjithë do të kujtojnë me respekt dhe dashuri mikun e mirë Gramoz Abedinaj. Lamtumirë miku ynë!”, shkruan njëri prej  tyre në rrjetet sociale

Për ndarjen e tij nga jeta të Gramoz Abedinajt ka reaguar edhe ministrja e Arsimit, Evis Kushi.

Do të kisha dashur që emrin e mësues Gramoz Abedinaj nga Fieri ta ndaja me ju për ta falenderuar për kontributin e tij shumëvjeçar e me vlerë në fushën e arsimit, por asnjëherë për të shprehur hidhërimin e ndarjes së tij nga jeta pas betejës së humbur me Covid-19.

Ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë, kolegët dhe nxënësit e shkollës në Roskovec ku mësues Gramozi ka shërbyer me shumë përkushtim e dashuri!

Për të mos përjetuar më momente të trishta si ky, ju bëj thirrje edhe një herë që të zbatojmë me rigorizet të gjitha rregullat dhe protokollet shëndetësore për t’u mbrojtur nga ky virus i pabesë e i rrezikshëm“, shkruan Kushi.