Kamion me 2 ton kanabis kapet në Mal të Zi, kishte hyrë tranzit nga Shqipëria

230

Një kamion me 2 ton kanabis është kapur në Mal të Zi nga policia kufitare. Ngarkesa me lëndë narkotike dyshohet se kishte destinacion Gjermaninë dhe kishte hyrë në Mal të Zi përmes kufirit të Hanit të Hotit.

 Burime bëjnë me dije se kamioni me kanabis kishte kaluar tranzit në Shqipëri pasi kishte hyrë nga Greqia përmes Kapshticës.

Gjatë ndalimit të kamionit në Mal të Zi është bërë i mundur dhe arrestimi i shoferit. Policia dhe prokuroria shqiptare kanë nisur hetimet, për të verifikuar nëse kamioni ka kaluar në skanerin doganor.

Deklarata e Policisë së Shtetit

Mëngjesin e sotëm, në vendkalimin kufitar Hani i Hotit (Bozaj), shërbimet policore dhe ato doganore të Malit të Zi, gjatë kontrollit të një kamioni tranzit, kanë gjetur të fshehur brenda ngarkesës me fruta-perime, një sasi të konsiderueshme lënde narkotike të dyshuar marijuanë.

Kamioni që drejtohej nga shtetasi E. C. ishte ngarkuar me fruta-perime në shtetin grek dhe kishte hyrë nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Kapshticës, tranzit për në vendet e BE-së.

Policia e Shtetit, pas shkëmbimit të informacioneve paraprake me homologët malazezë, ka dërguar në Malin e Zi, një grup specialistësh të Hetimit të Narkotikëve, me qëllim kryerjen e hetimeve të përbashkëta dhe përcaktimin e origjinës se nga është marrë lënda narkotike.