Nga rrugët, hekurudhat dhe energjia, ja projektet që BE do të financojë në Shqipëri

269

Shqipëria do të përfitojë financime për disa projekte kyçe infrastrukturore që e lidhin më mirë me vendet e rajonit dhe e ndihmojë të diversifikojë burimet e energjisë. Gjatë prezantimit të Planit të  investimeve, komisioneri Oliver Varhelyi, tha se qasja në financime do të mundësohet vetëm nëse qeveria lufton korrupsionin dhe përmirëson administratën publike.

Komisioni Europian prezantoi të martën Planin e Rimëkëmbjes ekonomike dhe të Investimeve. Ky plan përmban një sërë investimesh në infrastrukturë për Shqipërinë, që e lidhin me vendet e rajonit dhe diversifikojnë burimet e energjisë.

Në pjesën e transportit, BE-ja synon të investojë për lidhjen hekurudhore midis Tiranës dhe Podgoricës me një zgjatje në Portin e Durrësit. Sipas dokumentit të Brukselit, ky është një projekt kyç për të gjithë rajonin që do të mundësojë rehabilitimin e 120 km hekurudhë në Shqipëri drejt kufirit me Malin e Zi.

Plani parashikon gjithashtu hapa të mëdha për përfundimin e të ashtuquajturës Autostrada Blu që fillon nga brigjet e Kroacisë dhe vazhdon deri në Greqi. Gjithashtu me paratë e taksapaguesve europianë do të përfundohet bypass i Tiranës dhe dy rrugë të tjera në Shqipëri, deri tani ende të pa specifikuara.

Investim do të ketë edhe për rehabilitimin e hidrocentralit të Fierzës dhe për ndërtimin e hidrocentralit të fundit të kaskadës së Drinit, atë të Skavicës. Për këtë qeveria shqiptare ka nënshkruar një marrëveshje edhe me firmën amerikane Bechtel. Sipas Komisionit, investimi në këto projekte energjetike do t’i mundësojnë Shqipërisë dhe mbarë rajonit të shtojë eksportin e energjisë së pastër.

Pas përfundimit të gazsjellësit TAP, Bashkimi Europian synon ndërtimin e një gazsjellësit Jon – Adriatik me qëllim për të diversifikuar burimet e furnizimit me gaz në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe më tej.

Plani europian i investimeve synon edhe ngritjen e sistemeve të integruara rajonale të menaxhimit të mbetjeve në Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoni Veriore dhe Serbi, duke shkuar paralelisht me mbylljen e vend-depozitimeve të papërshtatshme.

Gjatë prezantimit të Planit të Investimeve, komisioneri Oliver Varhelyi, tha se qasja në financime do të mundësohet vetëm nëse qeveria lufton korrupsionin dhe përmirëson administratën publike. /Ora News