“Çudira shqiptare”, laboratori në Koplik sfidon mjekësinë botërore: Teste për Covid në 10 minuta për 700 lekë

270

Megjithëse nuk bën pjesë në listën e laboratorëve të certifikuar për kryerjen e testit RT – PCR, një laborator në Koplik i quajtur Malsia pretendon se kryen analizat e testit PCR për COV ID 19 për vetëm 700 lekë (5-6 EURO).

Testi zakonisht përdoret nga persona që udhëtojnë nga Shqipëria për në Mal të Zi apo Kroaci.

Ky imazh i rezultatit të testit u publikua në mediat sociale nga një individ që e kishte bërë testin në laborator, ndërsa u shpreh se testi dhe rezultati ishte gati për 10 minuta.

Të udhëtosh nga Shqipëria për në Mal të Zi dhe Kroaci nevojitet një test PCR negativ. Këta teste mund t’i bëni për 700 lek (5-6 Euro) në Koplik në laboratorin e mëposhtëm dhe rezultatet duan vetëm 10 minuta që të dalin. Është diçka shumë e lehtë nëse po planifikoni të udhëtoni u shpreh qytetari, një shtetas i huaj, që jeton në Tiranë.

Të shumta kanë qenë reagimet pas postimit të tij në rrjetet sociale, ku qytetarë të ndryshëm, shqiptarë dhe të huaj kanë bërë komentet e tyre.

Ky test bëhet si çdo gjë në Shqipëri. Është test i rremë dhe personat duhet të shkojnë në burg komenton një qytetare.

Të njëjtin mendim ka edhe A.K.

Paska ecur teknologjia në Koplik, ndërkohë në Tirane paska ngelur 20 vjet mbrapa! Shumë e thjeshtë… Rezultati i tamponit nuk del për një orë, aq më tepër në Koplik. Më e shpejta del për 3 orë! Ata që merren me këtë punë le të kërkojnë evidencën, se është një handikap këtu, aq më tepër edhe me çmimin shprehet ai.

Ka teste PCR që e nxjerrin rezultatin për 5 minuta, 15 minuta, 30, 1 orë deri në 2 orë. Është një test i pasigurtë, që realisht nuk tregon gjë. Mund të jemi një indicie për të krijuar një ide nga sasia e virusit. Gjithsesi nuk tregon gjë. Është thjeshtë një manovër idiote për t’i treguar publikut në këto vende, që kushdo që futet është i testuar; në kushtet që duan të mbajnë edhe turizmin në këmbë. Por kjo është një temë tjetër.

shprehet një tjetër qytetare, ndërsa shton se këto teste dhe veprimet e njerëzve të caktuar janë të papërgjegjshme, pasi ata njerëz mund të jenë dhe pozitivë dhe dalin e sillen në jetën e përditshme, duke rrezikuar jetën e secilit prej nesh!

Përmes numrit të telefonit të afishuar në rezultatin e provës, Si komunikoi me përfaqësues të laboratorit Malsi ku i thanë se testi testi mund të bëhej për 1000 lekë dhe do të ishte gati brenda 10 minutash.


Aktualisht nuk ka asnjë provë për testin e CO VID 19, që të japë rezultat brenda 10 minutave. Që nga 21 shtatori, një test i tillë për COVID-19 po provohej në Gjermani dhe në Austri, por nuk ka ende asgjë të sigurt dhe publike, për më tepër në Shqipëri.

Këtë javë, një test i CO VID 19 që jep rezultate në 15 minuta është shpërndarë në vendet e BE, por nuk po përdoret akoma dhe nuk është në dispozicion në Shqipëri.

Në Shqipëri laboratorët jopublikë, të cilët janë të certifikuar për kryerjen e testimeve molekulare RT-PCR për SARS-COV-2 janë të mirëpërcaktuar në bazë të urdhërit të Ministrisë së Shëndetësisë, që mban datën 23.07.2020.

Ata janë: Laboratori i American Hospital dega II, me Nr. License LN – 4398-01-2012. me adresë: Rruga e Dibrës, Tiranë; Intermedica Center sh.p.k me Nr. License LN – 8598-09-2019, me adresë: Rruga Jordan Misja Tiranë; GENIUS LAB, me Nr. License LN – 7116-04-2019, me adresë: Njësia Bashkiake nr.7, Rruga e Kavajës, Tiranë.


Testet PCR për COV ID 19 në Tiranë kushtojnë midis 100 – 120 Euro dhe rezultatet e tyre dalin pas 24- 48 orësh. Testi serologjik kushton rreth 30 Euro dhe kërkon 1 – 24 orë që rezultati të dalë.

Në vendet përreth Shqipërisë dhe në rajonin e Ballkanit nuk ka laboratorë që bëjnë teste PCR për COV ID 19 për më pak se 8 Euro dhe që të nxjerrin rezultatet e tyre brenda 10 minutave. (SI)