Sa mirë me pa vetën n’sytë tuej e mos me iu kallxua kush jam, ku jam, ku rri e cilave rrugë eci

70

Kopili me libra e plis

Unë nuk dola n’pazar mu shitë si sharraxhiu, me sharrë e sopatë n’krah. Edhe pse sharraxhiun e deshta ma shumë se artistin kur e luejta n’skenë, se u tuta mos po m’thonë qe kopili me libra si shqiptari me sharrë e plis!

Nuk trokita dyerve tueja n’fillim vjeshtë. Edhe pse dimni po afrohet nuk thirra: A doni dru me pre, me ça ju sheherlitë e shehrit që i lat katundet shkret!

Nuk dola n’pazar me shitë dru, edhe pse me dru u nxeva n’oxhakun e Ali Rexhës, por dola me pa vetën n’sytë tuej, sa  jam i mallkuem e sa i dashtun për zemrat tueja e sa i doni librat ju që bleni dru!

M’thanë paske ra nga kali e dhambët i nxorren përjashta tue qeshë!

U thashë jo! Vetëm zbrita me prekë tokën, se armët i lash n’samarin e gkokut.

Unë kurrë s’u ngjita shkallëve, por zbrita nga bjeshka n’fushë, me i pa dyqanet tueja me basma e fustanet pika-pika. Më nuhat erë levande e prap mu ngjitë n’bjeshkë me i dhanë sharovit qull e kalin me kashaitë.

Deleve m’ua heq kokordhiat torishtave e lopët me m’i lëpi flokët, me mu ba si t’juejat kur i lyeni me gjel!

Jo, nuk rashë nga kali, por zbrita n’tokë m’u pa me juve sy-n’sy! Mu mësua me qenë si ju e ju si unë. Sherritë tueja me i mësua e ju vargjet e mia!

Deshta me i dalë përballë fajit tim që shkruej për rrugët e bardha t’Ademave, Ibrahimave, Agimave, Luanave… Deshta me i pa gabimet e mia n’sytë tuej që shkruej për t’zezat e mashtruesve njizetvjeçarë e si mjeshtri i drunit me i latua, me i lëmua, akull me i ba!

Deshta m’u ballafaqua me t’metat e mia e me qeshë kur t’me shani e me qajtë kur t’më lavdoni!

Po, deshta me i pa mëkatet e mia n’sytë tuej, e mos m’ua kthye fjalën kur t’mi numëroni kokërr për kokërr, se vetëm sharovi im asht i pafajshem që han qull e natën leh tue m’i ruejt delet nga ujku!

Mirë asht me dalë nga lëkura, po munde e cullak m’u pa me vetvetën n’sytë e tjetrit. Mbyllja n’lëvozhga asht për krimba. Ju që rrini n’zyra, s’jeni brejtësit e vetvetës. Zbritni si unë shesheve e çajni dru me popullin. Do t’pështyheni nëse i keni pështy ose do t’përqafoheni nëse keni qenë mjalt për zemrat e tyne!

Unë ket e bana me librat e mi. U tregova cili jam kur s’jam n’skenë, n’film, n’kangë, n’librat e mbushun vargje. Unë deshta me jetua si ju nga djersa ime e s’di pse i pengova atij që m’tha: Shikojeni kopilin me plis si shet libra!

M’pyetën kush janë bastardët n’shkrimet tua?

U thashë miqtë e mi që piva kafe me ta e shkova mbas tyne me i ruejtë do bjeshkë e do kufijë e m’rrejtën mua, juve e atdheun. Shokë interesi që kërkuen ndihmën për nji votë ma shumë, e kur u futen n’zyra, u mbyllen tue ba hesape me lapës: Kush po fiton ma shumë!

Prandaj dola si kopili me plis, që s’din pse e ven n’kokë, por don me kallxua sa patriot asht, e me kuferin plot libra thirra: Këtu m’keni mua t’shartuemin e bastardëve që na rrjepen tue qeshë. Jam kopili me plis që shes libra e këqyrem me juve sy m’sy, pa m’rreh qërpiku, pa m’shkrep gishti!

Dilni se unë zbrita nga bjeshka më nuhat levandat tueja e ju m’u pa n’synin e skyfterit e n’dhambin e ujkut. Mos lëvizni deri të zbresin t’pushtetshmit nga pallatet e qelqta se u thehen vezët! Kopil jam unë e ata t’shartuemit e mi që nuk skuqen n’deill e nuk zbardhën n’hanë!

Po jam kopili me plis që iu la pa gjumë tue ulërit nën dritaret tueja: A doni dru me ça, me pre, se jam sharraxhiu me sopatë e sharrë e dimni po afrohet.

Dilni merrni librat e mia, se kur t’bjen bora, kaftorrin me dru e ndezni ma leht!

Qe kush asht qeni me vathin e verdhë n’vesh që endet rrugëve tueja tue shitë libra. Ligji thotë kastroje e mos e vraj!

Sa mirë me qenë kopil me plis e mos me guxua kush me t’sha!

Sa mirë me pa vetën n’sytë tuej e mos me iu kallxua kush jam, ku jam, ku rri e cilave rrugë eci.

Kopilat me plisa kështu janë!

Çun Lajçi Dardani, 05.10.2020