Bojkoti i kampionatit shqiptarë, reagon FIFA dhe UEFA

43

Me bojkotin e futbollit shqiptar, prej 12 shtatorit, duke bërë që të humben pesë javët e para të kampionatit, reagojnë FIFA dhe UEFA. 

Në letrën e dërguar për sekretarin e Federatës së Futbollit, dy institucionet më të rëndësishme inkurajojnë krijimin e një kuadri rregullator kombëtar gjithëpërfshirës, por i kanë bërë thirrje palëve të gjejnë gjuhën e përbashkët. 

FIFA dhe UEFA nxisin qeverinë shqiptare dhe federatën, që të gjejnë zgjidhje të arsyeshme dhe të përshtatur për kërkesat e klubeve në mënyrë që sezoni të nisë pa shtyrje të mëtejshme shkruhet në letrën e FIFA-s dhe UEFA-s, ku theksohej mbështetja absolute për zhvillimin e futbollit në Shqipëri.

Më poshtë, letra e plotë që FIFA dhe UEFA i kanë dërguar FSHF-së:

I dashur Sekretar i Përgjithshëm,
Jemi vënë në dijeni të letrës suaj të datës 21 shtator 2020 në lidhje me situatën e Kategorisë Superiore në Shqipëri dhe vendimin për të bojkotuar nisjen e sezonit 2020/21.
Ne e kuptojmë se ky vendim, i cili mbështetet nga FSHF, vjen si pasojë e refuzimit aktual të Qeverisë shqiptare për të miratuar një sërë reformash kryesore në kuadrin ligjor, që prek klubet e futbollit profesionist në vendin tuaj.

Siç e dini, FIFA dhe UEFA në përgjithësi inkurajojnë krijimin e një kuadri rregullator kombëtar gjithëpërfshirëse, që mbështet zhvillimin e futbollit në të gjitha nivelet. Rëndësia e ruajtjes së një marrëdhënieje të ngushtë dhe konstruktive të punës midis organeve të futbollit dhe autoriteteve qeveritare në përputhje me të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre përkatëse nuk ka nevojë të mbivlerësohet. Kjo vlen veçanërisht për sfidat e pashembullta që ka përjetuar futbolli si rezultat i ndikimeve të COV ID 19. Këto sfida kërkuan – dhe vazhdojnë të kërkojnë – një nivel të jashtëzakonshëm bashkëpunimi.

FIFA dhe UEFA nxisin qeverinë shqiptare dhe FSHF-në të gjejnë zgjidhje të arsyeshme dhe të përshtatur për kërkesat e klubeve shqiptare të futbollit në mënyrë që sezoni të fillojë pa shtyrje të mëtejshme. Në këto kohë të vështira, fuqia e futbollit për të sjellë gëzim, frymëzim dhe shpresë për njerëzit duhet të mbështetet plotësisht.

Së fundmi, ne e shfrytëzojmë këtë mundësi për t’i dhënë një vlerësim të veçantë sukseseve të fundit të FSHF-së në fusha shumë të rëndësishme si zhvillimi i futbollit të fëmijëve, infrastruktura, futbolli i femrave, zhvillimi teknik dhe menaxhimit të mirë.

Ne shpresojmë të punojmë ngushtësisht me ju për të mbështetur edhe më tej zhvillimin e futbollit në Shqipëri. Ju mund të mbështeteni në mbështetjen tonë absolute për përpjekjet tuaja.
Ne qëndrojmë në dispozicionin tuaj të plotë nëse keni nevojë për ndonjë ndihmë të mëtejshme.