Surpriza e Florjan Binajt për Etlevën dhe motrën e saj

263

Prej vitit 2014-të aktori i njohur i humorit Florjan Binaj është pjesë e fondacionit “Fundjavë Ndryshe”. E gjitha nisi me një telefonatë të bërë në atë kohë nga themeluesi i fondacionit, Arbër Hajdari, i cili e ftonte për të zhvilluar aktivitete bamirësie.

Tashmë prej kohësh, Binaj është edhe pjesë e bordit të Fundjavë Ndryshe ku përfshihet në një sërë aktivitesh e vendimmarrje të rëndësishme.

E kam pasur këtë dëshirën për të ndihmuar të gjithë që i vogël, sepse jeta ka qenë e tillë që unë që i vogël kam filluar të punoj. E dyta ka qenë kur shkuam tek familja e Etlevës, më bëri të zbrisja edhe më shumë në tokë, për gjendjen që ishte ajo familje dhe kështu nisi gjithçka tha Binaj, i ftuar në studion e Historia e Fundjavës.

Me Etlevën njerëzit u njohën në konferencën e 2 vjetorit të “Fundjavë Ndryshe”, ku me fjalimin e saj prekës përloti zemrat e audiencës. Përtej varfërisë dhe kushteve të rënda ekonomike, ajo ishte një nxënëse e shkëlqyer dhe shumë e përkushtuar. Fundjavë Ndryshe vendosi t’i dhurojë Etlevës dhe familjes së saj një shtëpi të re. Ndërsa, Binaj prej disa kohësh është duke i paguar kursin e gjuhës së huaj.

Unë e kuptoj shumë që babai im është i sëmurë, sepse prej vitesh është i paralizuar. E kuptoj edhe përse mami im nuk buzëqesh kurrë, pak nga sëmundja e saj, pak nga skamja dhe pamundësia për të mos qenë e aftë të punojë.

Do të doja shumë që të jetoja në një banesë të ngrohtë, të kisha një krevat prej vërteti, divane dhe televizorë, ashtu siç i kam parë… dhe libra. Sepse shtëpia ku jetojmë është e ftohtë, pa drita, e vetmja dritë që ka ngrohur zemrën e familjes time prej 2 vitesh, është Fundjavë Ndryshe.

Së bashku me një pjesë të stafit të fondacionit, aktori i humorit së fundmi vizitoi Etlevën dhe motrën e saj. Ku kishin përgatitur edhe një surprizë, duke i dhuruar një kompjuter, pasi e kishin të nevojshme për të zhvilluar mësimet.