Bojkoti i Superiores vazhdon/ Skuadrat dalin në fushë vetëm për të …

276

Edhe këtë të diel, topi nuk është rrotulluar në stadiumet e vendit. Ashtu sikur ndodhi dhe një javë më parë skuadrat udhëtuan drejt stadiumeve ku ishin programuar 4 sfidat të vlefshme për javën e 3-të të kampionatit, por serish nuk u luajt futboll. Kapitenët respektiv të secilës skuadër zbritën në fushë dhe lexuan dhe një herë kërkesat drejtuar qeverisë.

Ne futbollistët e Kategorisë Superiore ,vazhdojmë protestën tonë në mbështetje të 4 kërkesave të Ligës profesioniste të futbollit drejtuar qeverisë shqiptare. Të gjithë së bashku duam që zëri ynë të dëgjohet për të siguruar një të ardhme sa më të mirë për lojën tonë të dashur, futbollin.

Ne jemi të bindur se kërkesat drejtuar qeverisë rruga e shpëtimit për futbollin dhe sportin në përgjithësi. Vetëm kështu mund të shpresojmë për një të ardhme më të mirë. Ne do të vazhdojmë të ngremë zërin sepse besojmë se sporti është lënë në harresë ndër vite. Dhe si një e mirë publike, të gjithë politikanët duhet ti kthejnë sytë nga sporti. Presim sa më shpejt një reagim pozitiv nga ana e qeverisë për të ardhmen e sportit në Shqipëri.

Risia e kësaj jave ishte se me skuadrat e Superiores janë bashkuar dhe akademitë e secilit ekip duke shprehur kështu qëndrimin e qartë se bojkoti do të vazhdojë.

Ashtu sikur paralajmëroi dhe Liga Profesioniste futbolli nuk do të luhet deri në momentin qe qeveria të plotësojë 4 kërkesat qe sipas tyre janë minimale për një sport të shëndetshëm. 4 kushtet e klubeve kanë të bëjnë me miratimin e Ligjit të Sponsorizimit sipas modeleve të vendeve si Kosova apo Hungaria, ulja e TVSH-së në 6 përqind për investimet në sport, faljen e gjobave dhe kamatëvonesave për detyrimet fiskale dhe zerimi i tatimit mbi pagën për 10 vite.