Turqia, kritika ndaj Kosovës: Vendosja e ambasadës në Jeruzalem, hap i gabuar

241

Ministria e Jashtme turke ka reaguar ashpër mbi vendosjen e marrëdhënieve diplomatike Kosovë-Izrael, pasi dy ditë më parë u njoftua edhe vendimi zyrtar për hapjen e ambasadës në Jeruzalem, aty ku do të zhvendoset edhe ambasada serbe.

Në një deklaratë zyrtare, Ministria e Jashtme turke i konsideron këto zhvillime si shkelje të ligjit ndërkombëtar.

Turqia, një nga vendet e para që njohu Kosovën, gjithashtu ka siguruar që në fillim një mbështetje të madhe për përpjekjet drejt njohjes ndërkombëtare. Sidoqoftë, ne nuk e shohim të drejtë ta ndërtojmë këtë proces kundër së drejtës ndërkombëtare dhe veçanërisht mbi vuajtjet e popullit palestinez, territoret e të cilit janë nën pushtim”, thuhet në deklaratë.

Ministria e Jashtme turke u bën thirrje zyrtarëve kosovarë që të përmbahen nga veprimet që do të dëmtonin statusin historik dhe ligjor të Jeruzalemit dhe që do të parandalonin që Kosova të njihet nga shtetet e tjera në të ardhmen.