Kryemadhi: LSI-ja është e etur për të rinj…

41

Kryetarja e LSI-së ka zhvilluar një takim me të rinjtë e Fierit në pyllin e Semanit. Gjatë kohës që po bisedonte me të rinjtë, tha se është koha që autoriteti dhe pushteti të jetë në dorë të qytetarëve të Fierit. Kryemadhi deklaroi se LSI është e etur për të rinj, pasi ata janë një mundësi shumë e mirë për të zgjeruar këtë parti, sidomos tani në prag zgjedhjesh.

Mendoj që duke ardhur bashkë me Kejdin këtu jo pa qëllim kemi menduar për të pasur një angazhim shumë të madh tonin në qarkun e Fierit, sepse ne mendojmë që Fierit duhet ti rikthehet fuqia autoriteti dhe pushteti në dorën e qytetarëve të Fierit. Këtë nuk do ta bëjmë ne, këtë do ta bëni ju sepse mendojmë që më shumë se kurrë jeni ju ata që jeni të gatshëm për të dhënë çdo gjë dhe për të bërë çdo gjë për ta bërë Fierin një qytet jo vetëm të banueshëm, por një nga qytetet më të begatë për sa i përket edhe të ardhurave për frymë, por edhe shumë mundësive të tjera që sot ka nevojë.

Ne në fakt kemi filluar një lëvizje në të gjithë Shqipërinë, kemi filluar në Tiranë, sot jemi në Fier, nesër përsëri do të jemi në disa qytete të tjera për t’u takuar me të gjithë maturantët dhe studentët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, por jo vetëm me ta, edhe për ta zgjeruar rrethin. Sepse kjo gjë na bën të mundur për të zgjeruar LSI për ti krijuar hapësira më të mëdha LSI-së, sepse ne si forcë politike jemi gjithmonë jo vetëm të hapur, por jemi të etur për të rinjtë  dhe të rejat, sepse vetëm në këtë mënyrë Lëvizja Socialiste për Integrim do të jetë gjithmonë më pranë njerëzve, do të jetë gjithmonë më pranë familjeve.

Sepse ashtu siç prindërit sakrifikojnë çdo gjë për fëmijët e tyre, edhe ne do të sakrifikojmë çdo gjë si LSI për të rinjtë dhe të rejat tanë. Ne mendojmë që e ardhmja e Shqipërisë nuk janë partitë politike, ne mendojmë që e ardhmja e Shqipërisë jeni ju, mendojmë që dëshirat, ëndrrat dhe angazhimet tuaja do ta ndryshojnë këtë vend, thotë Kryemadhi.