Hajdari refuzon partinë e Murrizit, ja me kë do bashkëpunojë.

303

Deputetja Rudina Hajdari do të formojë një parti të re pas divorcit të saj nga Partia Demokratike dhe vendimit për të mos e djegur mandatin e deputetes. Hajdari ka deklaruar së fundi për mediat se ajo nuk do të jetë pjesë e partisë së re të krijuar nga Myslym Murrizi, dhe e etiketuar Lëvizja Demokratike Shqiptare.

Hajdari është shprehur se ka nisur mbledhjen e firmave për t’u regjistruar zyrtarisht si parti e re dhe me gjasë do të ketë një bashkim me nismën thurje, e cila gjithashtu nga ana e saj, lajmëroi dje mbledhjen e firmave për shndërrimin në parti politike, dhe garimin në zgjedhjet e ardhshme.

Deputetja ka lajmëruar gjithashtu se në ditët në vijim do të nisin takimet nëpër rrethe. Hajdari dhe Thurje kanë dalë së bashku dhe në takime për ndryshimin e sistemit zgjedhor, teksa mblidhnin firma për mbajtjen e një referendumi.

“Do të krijoj një parti të re, por jo me Myslim Murrizin. Kemi nisur mbledhjen e firmave për t’u regjistruar zyrtarisht. Ditët në vazhdim nisim takime nëpër rrethe”, shprehet ajo.

Ndërkohë në një reagim për Faxweb ”Nisma Thurje” nuk e ka përjashtuar bashkëpunimin me Hajdarin.

“Ftojme kedo qe ndan te njejten ide me ne, qe nuk ka qene pjese e drejtimit politik te ketyre 30 viteve, qe nuk ka para taksash te shqiptareve ne xhepin e vet, te na bashkohet. Nese duam te ndryshoje ky vend, ka ardhur koha te dalim nga FB”, shprehet Nisma Thurje.

”Koha e partive prona të individeve, sikur të ishin biznese private ka përfunduar. Hidhini një sy partive të vjetra. I kanë braktisur totalisht qytetarët dhe funksionojnë si biznese private të familjeve që i drejtojne.

Vendi sot nuk ka parti, por ka disa ndërmarrje të cilat kanë rezultuar fitimprurëse vetëm për një grusht njerëzish, në kurriz të taksave dhe pasurive të shqiptarëve.

Nuk mund ti konkurrosh këto shpk të medha me shpk të reja më të vogla. Nuk është ky synimi ynë. Ne duam që për herë të parë të ndërtojmë një subjekt politik i cili është totalisht në pronësi të publikut dhe nuk i shërben një njeriu, apo pak njerëzve, por të gjithë shqiptarëve.

Pra përgjigja ime është jo, nuk do te jem pjesë e partisë së Zotit Murrizi”, shprehet Hajdari në një reagim për Fax News.