Zbardhet ngjarja e Velipojës ku humbi jetën 17-vjeçarja, çfarë dëshmoi në polici shoku i saj

349

Ngarja tragjike që ndodhi një ditë më parë në Velipojë, ku humbi jetën 17-vjeçarja Enisa Doda, ka tashmë një rrjedhë, e cila është plotësuar edhe pas dëshmisë në polici të shokut të saj, Indrit Bajraktari.

Siç është raportuar edhe gjatë orëve të fundit, Bajraktari kishte marrë për një xhiro me skaf, Enisën. Sipas dëshmive, një kthesë e gabuar e skafit në det ka bërë që vajza të rrëzohet. Enisa nuk dinte as not dhe nuk kishte as jelek shpëtimi.

Trupi i saj i pajetë u gjet nga një peshkatar 800 metër nga bregu, në zonën e Vilunit.

Pas më shumë se 30 minutash në ujë, pronarët e motoskafit janë futur në det për të parë përse janë vonuar të rinjtë dhe në këtë çast kanë konstatuar 24-vjeçarin në tentativë për t’u fshehur.

Ndërkohë, i riu u ka thënë pronarëve të skafit se vajzën e kishte nxjerrë në breg dhe e kishte marrë xhaxhai i saj.

Pas identifikimit të autorit, policia e ndaloi Bajraktarin në rrugën Shkodër-Velipojë.

24-vjeçari deklaroi në polici se vajza ka rrëshqitur nga skafi dhe se nuk e mban mend mirë se çfarë ka ndodhur.

17-vjeçarja ishte me origjinë nga Burreli dhe banuese në Bathore në Tiranë. Në plazhin e Velipojës kishte ardhur së bashku me familjen. 24-vjeçari ishte shok i saj.

Të afërm, shok e miq të Enisës i kanë kushtuar asaj sot dedikime duke shprehur dhimbjen për ndarjen e parakohshme nga jeta. Edhe i ati i 17-vjeçares, Lezan Doda, ka shkruar një mesazh të ndjerë për të bijën. “U prehsh në paqe zemra e babit! Zoti të mori shpejt fizikisht, por jo shpirtërisht. Qofsh e xhenetit.”

Policia vijon hetimet për të zbardhur të plotë ngjarjen, nëse bëhet fjalë për aksident apo ngjarje kriminale. Referuar njoftimit të policisë, ndaj të riut rëndojnë akuzat për veprat penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”, “Moskallëzim i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Njoftimi i policisë

Vihet në pranga një 25-vjeçar për ngjarjen e ndodhur në Velipojë ku humbi jetën si pasojë e mbytjes në det një 17-vjeçare. Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër në bashkëpunim me Shërbimet e Policisë Velipojë, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur ku humbi jetën si pasojë e mbytjes në det një 17-vjeçare, organizuan punë nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit: I. B., 25 vjeç, banues në fshatin Kullaj, Njesia Administrative Postribë, Shkodër. Nga tërësia e veprimeve hetimore rezultoi se më datën 19.08.2020, rreth orës 14:00, në vendin e quajtur Vilu, plazh Velipojë, Shkodër, ky shtetas ka hyrë në det me motor uji të marrë me qira, së bashku me shtetasen E. D., 17 vjeçe, banuese në Bathore.

Rreth orës 16:30, ky shtetas ka dalë në breg pa motorin e ujit duke lënë të mbytur në ujë shtetasen E. D., e cila kishte ardhur për pushime së bashku me familjen e saj. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua çelësi i motorit. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallë së Parë Shkodër për veprime të mëtejshme për veprat penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.”