Situata në kufi, çfarë u nevojitet qytetarëve që udhëtojnë? Flet drejtori i kufirit

97

Drejtori i Kufirit dhe Migracionit Eduart Merkaj apeloi qytetarët që udhëtojnë drejt Greqisë, por jo vetëm që të informohen mbi rregullat e reja që ka çdo shtet lidhur me hyrjen në territorin e tyre.

 “Duhet pasur me vete përgjigjet e COVID-19 negativ, të përkthyera në anglisht, së bashku me numrin e pasaportës, si dhe aplikimi në KLF, një aplikacion i çelur nga shteti grek qysh nga fillimi i masave,  në travel.gov. gr, ku gjenden të gjitha masat për të hyrë në territorin grek, dhe brenda 24 orëve merret një përgjigje elektronike për secilin aplikues në qoftë se është miratuar apo jo kalimi i tij”, thotë Merkaj për A2.  

Sipas Merkajt, shërbimet e policisë do të ndalojnë automjetet që udhëtojnë në drejtim të kufirit sapo të përmbushet numri i limituar për kalimet e shtetasve në Kakavijë dhe Kapshticë.

“Të njëjtat procedura kanë grekët edhe në kufirin me Turqinë apo Bullgarinë. U lehtësua para disa ditësh, dhe tani është po në të njëjtën situatë. Kemi qenë gjithmonë në kontakt dhe për hir të së vërtetës kanë qenë shumë bashkëpunues. Pas negociatave, edhe pse dhe kishin vendim qeverie për të punuar deri në 22, pas negociatave na mirëkuptuan dhe morën vendimin që të punohej deri në makinën e fundit”, thotë drejtori i Kufirit.

Momentalisht vetëm dy pika kufitare janë të hapura me Greqinë, ajo e Kakavijës dhe e Kapshticës ndërsa 2 pikat e tjera, ajo e Qafë Botës dhe 3 Urat janë të mbyllura prej 2 javësh.