Kalimi drejt Greqisë, hyjnë në fuqi rregullat e reja.

58

Nga sot ka nisur zbatimi i rregullave të reja për të gjithë shtetasit që kalojnë nga territori shqiptar drejt Greqisë.

Sipas kushteve të vendosura nga pala greke në kuadër të shtrëngimit të masave për pandeminë e koronavirusit, të gjithë ata që hyjnë në Greqi nga Shqipëria, pasi e konsideron vendin tonë si zonë të kuqe të Covid, duhet të marrin aprovimin e PLF online, të paraqesin para autoriteteve kufitare një test Covid negativ të kryer 72 orët e fundit në Shqipëri nga laboratorë të licensuar publik apo privat.

Dokumenti me të dhënat e personit në fjalë duhet të jetë i përkthyer në anglisht dhe e gjithë procedura duket e komplikuar për shumicën e atyre që nuk ja dolën të largohen para hyrjes në fuqi të regjimit të ri. Do të lejohen të hyjnë në Republikën e Greqisë shtetasit që kanë leje qëndrimi greke ose shtetësi greke, punëtorët sezonal, si dhe çdo shtetas që ka marrë konfirmim nga autoriteti përkatës. Ndërkaq numri i shtetasve që do të kalojnë në një ditë drejt Greqisë është i kufizuar, në Kakavijë do të kalojnë vetëm 750 persona, ndërsa në Kapshticë 300.

Rreth orës 01:00 pas mesnate ka përfunduar kalimi i shtetasve të fundit që prisnin në radhë për të kaluar nga pika e kalimit kufitar të Kakavijës, ku edhe u krijua një situatë e rëndë përgjatë 4 ditëve të javës që lamë pas me radhë kilometrike të makinave që pritën me orë e ditë për të kaluar drejt Greqisë ku edhe punojnë e jetojnë.

Ministria e Mbrojtjes ka konfirmuar se për 24 orë në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës kanë kaluar 3325 shtetas dhe 1629 mjete. Pak para përfundimit të kalimit të mjeteve të fundit ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka përmes postimit të fotove në rrjetet sociale tregonte makinat e fundit dhe radha nuk ekzistonte më.

“Mirënjohje të thellë për të gjitha strukturat e angazhuara në këto ditë të vështira. Mirënjohje për efektivët e Forcave të Armatosura, Policisë së Shtetit, mjekëve e infermierëve dhe drejtues e punonjës të pushtetit vendor, të cilët me këmbëngulje, durim e punë në grup ia dolën”,  thuhet në postimin e Xhaçkës pas mesnate.

Radhët e mjeteve që prisnin të kalon në Greqi nga Kakavija arritën në 12 km përgjatë 3 ditëve të fundit. Situata u rëndua duke prodhuar një krizë humanitare më e rënda dhe më e rrezikshmja e 30 viteve të fundit për shkak edhe të pamundësisë për të zbatuar protokollet e sigurisë për Covid-19.