Kina i hap derën Shqipërisë.

75

Ndërkohë që BE-ja ka vendosur ti mbajë mbyllur kufijtë  e saj për shtetasit shqiptarë edhe në dy javët në vijim, është Kina që ka vendosur të na hapë derën.

Shqipëria është listuar sot në listën me 36 vende evropiane shtetasit e të cilëve janë ftuar nga qeveria kineze që të aplikojnë për viza në çdo ambasadë apo konsullatë kineze. Shqiptarët që tani duan të udhëtojnë drejt Kinës, do t’ju kërkohet të paraqesin një ftesë që kanë marrë nga ky shtet në mënyrë që të jenë në gjendje të bëjnë kërkesë për një vizë kineze.

Që nga 28 Marsi i këtij viti, qeveria kineze kishte pezulluar hyrjen për shumicën e të huajve, përfshirë mbajtësit e vizave të vlefshme ose lejet e qëndrimit. Përjashtimet nga kjo ndalesë udhëtimi kanë qenë të pakta.

Qeveria kineze kishte lejuar deri tani vetëm aplikimet për viza të shtetasve të huaj që kërkojnë hyrjen në Kinë për aktivitete thelbësore ekonomike, tregtare, shkencore dhe teknologjike ose jashtë nevojave humanitare urgjente.

Sipas zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme, Zhao Lijian, tashmë që situata me koronavirusin është vënë nën kontroll në shumë shtete, njerëzit mezi presin të bëjnë udhëtime turistike drejt Kinës. Atyre që kanë një vizë të vlefshme ose leje qëndrimi, por kanë nevojë për rinovimin e tyre, ambasadat dhe konsullatat kineze do t’u ofrojnë shërbimin e vizave falas.