Zbardhen mesazhet fyese të Veliajt ndaj gazetares (Foto)

83

Zbardhen mesazhet shantazhuese dhe fyese të Kryebashkiakut Erjon Veliaj ndaj gazetares Beti Njuma. Ndryshe nga çfarë publiku mund të njohë Veliajn, kur shfaqet i qeshur, i përkushtuar apo si njeriu i punës socialiste, mesazhet e mëposhtme tregojnë fytyrën tjetër, atë të një paedukati, që shantazhon dhe fyen, madje edhe gazetare.

Gjatë shkëmbimit të mesazheve, Veliaj e quan gazetaren Njuma “idiote”, ndërsa thotë “as dua tja shoh më sytë”. Problemi që ka Veliaj është që media ku punon Njuma, Oranews, sipas tij kritikonte punën e Bashkisë, dhe kjo sipas tij ishte presion.

I gjithë presioni i Veliajt ushtrohej në kohën kur zhvillohej debati mbi Teatrin Kombëtar, që Lali Eri e shembi natën e 17 majit, i mbështetur edhe nga policët e Sandër Lleshajt, përfshi këtu edhe forcat RENEA.

Mesazhet përveç se tregojnë anën tjetër të Veliajt, ndoshta fytyrën e vërtetë të tij, zbardhin një skandal, atë se si një zyrtar, që paguhet nga taksat e shqiptarëve, ka guximin që të ndërhyjë me një fjalor fyes dhe denigrues në një redaksi lajmesh.

Lidhur me mesazhet ka reaguar gazetari Bledian Koka, i cili i konsideron mesazhet prova të pakundërshtueshme dhe kërcënime të vazhdueshme të Erion Veliajt.

“Në një vend normal këto prova do ta dërgonin sonte në polici Erion Veliajn dhe SPAK duhet të ndermerte sot, jo nesër, sot procedim penal ndaj Kryebashkiakut të Tiranës për shpërdorim detyre dhe shantazh…”, shkruan Koka, duke publikuar edhe disa nga mesazhet.