Shkarkohet gjyqtari i Apelit të Shkodrës, nuk shpjegon dot pasurinë.

261

Përpara se komisionerët e vettingut të iknin me pushime e dhanë edhe një tjetër karton të kuq. Seanca ndaj gjyqtaritë të Apelit, Aleks Nikolli, anëtar i trupës që zbriti dënimin e përjetshëm për Dritan Dajtin ishte e fundit për këtë sezon.

Nikolli iu nënshtrua vetëm një kriteri dhe hetimi gjeti pasaktësi në deklaratat e pasurisë, ndonëse gjyqtari i shkarkuar kërkoi riçelje të procesit. Pas kësaj seance, komisionerët largohen me pushimet e verës, për tu kthyer në fillim të shtatorit ku vazhdojnë të jenë në pritje të procesit edhe 510 gjyqtarë e prokurorë nga 794 që kishte në total drejtësia.

Deri më tani janë ballafaquar me kontrollet 284 gjyqtarë e prokurorë nga të cilët në shkallën e parë u shkarkuan 104 prej tyre, ndërsa 118 u deklaruan të pastër. Por ky bilanc është i ndryshueshëm në KPA që largoi edhe 12 nga ata që ishin konfirmuar në shkallën e parë, duke e çuar numrin e të shkarkuarve në 116 dhe të konfirmuarve në 106. Megjithë këto të dhëna gati tre vjet nga nisja e procesit, KPA që është fjala e fundit e kontrollit të drejtësisë në vend ka shpallur vetëm 65 vendime të formës së prerë.

Nga ana tjetër mandati 5-vjeçar i KPK-së mbyllet qershor në 2022 dhe nëse deri atëherë nuk është përfunduar i gjithë procesi ndaj 510 subjekteve që presin në radhë, vettingun do ta vazhdojnë Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë që si gjykatë të formës së prerë do të ketë KPA me mandat 9-vjeçar.

Në një raport avokati i popullit parashikon që me këto ritme vettingu ndaj drejtësisë do zgjasë më tepër se tetë vjet që do të thotë se pas ndryshimeve kushtetuese të 2016 atëherë kur u vendos për pastrimin e drejtësisë, rezulton që institucionet e reja nuk kanë kryer as gjysmën e punës.