“Ju zëvendësojmë me punëtorë të huaj”/ Gjoni: Qeveria po u thotë shqiptarëve ‘ikni’

71

Deputeti i opozitës parlamentare, Ralf Gjoni ka akuzuar qeverinë lidhur me ndryshimin e ligjit që lehtëson procedurat e marrjes së vizave të punës për të huajt në territorin shqiptar. Gjoni e konsideroi një turp që iu bëhet shqiptarëve dhe që duhet kundërshtuar.

Gjatë fjalës së tij nga foltorja e Kuvendit, deputeti kritikon mazhorancën se po angazhohet për shpopullimin e Shqipërisë nga shqiptarët.

Ministri i Brendshëm thotë që duhet të jemi të hapur se qenkemi të mbyllur ndaj të huajve. Paska mbërritur dita e suficitit të vendeve të punës dhe nuk paska më punëtorë vendas ndaj na duhet të hapim dyert për punëtorë nga vende te botës së tretë. Përse ky nxitim për të lehtësuar regjimin e vizave të punës? Apo mbaroi papunësia e shqiptarëve ndaj të fillojmë punësimin e të huajve?

Mes të tjerash, Gjoni tha se me këtë ligj qeveria iu thotë shqiptarëve ‘ikni’ se ju zëvendësojmë lehtësisht me shtetasit e huaj nga vendet e botës së tretë.

Ky është një vend mikpritës për të huajt e botës së tretë dhe vend i ashpër dhe i egër me qytetarët e tij. Ku janë politikat ekonomike? Ku është arsimi profesional për të rinjtë tanë? Ku janë incentivat fiskale për bizneset e vogla e të mesme të cilat po mbyllen e po zëvendësohen nga bizneset e mëdha të oligarkëve? Juve trembni biznesin e vogël dhe favorizoni oligarkun. Juve trembni shqiptarin dhe hapni dyert për punëtorët e vendeve të botës së tretë. Nuk e kam fare për turp që nuk dua në vendin tim shtetas nga vende të dyshimta sa i përket sigurisë kombëtare, fare. Jam preferencial dhe çfarë kapaciteti teknik kanë të huajt. E pafalshme, pa asnjë konsultim publik ju i thonë shqiptarëve se ikni se ju zëvendësojmë me njerëz të botës së tretë. Unë dua persona nga vendet e zhvilluara.

Ralf Gjoni nënvizoi se ky projektilgj nuk ka për qëllim përmbushjen e nevojave të specialistëve pas situatës së rënduar të termetit, pasi sipas tij është vendosur për konsultim publik dy muaj përpara tërmetit tragjik.