Amnistia për të burgosurit, ja 3 kategoritë që përfitojnë

399

Qeveria do të shqyrtojë javën e ardhshme vendimin e Ministrisë së Drejtësisë për amnistinë e fundvitit. Ndonëse nuk ka një numër të saktë të të dënuarve që do të lirohen nga qelitë, kategoritë kryesore që përfitojnë janë 3. Një amnisti për herë të fundit u ndërmor në vitin 2016.

“Ministria e Drejtësisë e ka depozituar propozimin e saj në Këshillim e Ministrave dhe në ditët në vijim pritet një vendim, duke përfshirë të gjitha kategoritë që ne i kemi pasur prioritet, gratë, të miturit dhe të moshuarit”, u shpreh ministrja Etilda Gjonaj.

Në komisionin e ligjeve, Ministrja Gjonaj, pranoi se drejtuesit e burgjeve janë kërcënuar vazhdimisht ndaj do merren masa për ruajtjen e tyre.

“Një strukturë e posaçme, e cila është konsideruar shumë e rëndësishme për të funksionuar në sistemin e burgjeve, që do të garantojë dhe do të kryejë mbrojtjen e posaçme të drejtuesve të burgjeve në rastet kur do të të jenë të kërcënuar”, tha Gjonaj. 

Pre e kërcënimeve mësohet ka rënë edhe vetë drejtori i përgjithshëm i burgjeve Agim Ismaili, rast për të cilin kanë nisur hetimet.