Kukësi fitore spektakolare me përmbysje ndaj Tiranës

406

Kukësi ka arritur që të marrë një fitore shumë të rëndësishme 3-1 ndaj Tiranës në duelin e zhvilluar në “Selman Stermasi”. Takimi nisi me Tiranën më kërkuese, që pas zbritjeve në gjysmëfushën kuksiane, arriti të kalojë në avantazh falë fantazistit shkodran Edon Hasani, që u gjend në vendin e duhur për të shtyrë në rrjetë një top të ardhur në zonë.

Minutat në vijim loja ishte e balancuar, me Kukësin që nuk arriti të vërë në vështirësi Ilion Likën dhe Tiranën që tentoi të gjejë golin e dytë, por pa arritur të shkojë rrezikshëm në zonën kundërshtare.

Pjesa e dytë pati një tablo krejt tjetër, me verilindorët e Duros që erdhën në fushë të transformuar dhe të bindur në përmbysjen e rezultatit, ndërsa goli i barazimit erdhi në minutën e 65-të, kur Shkurtaj mposhti Likën me një penallti të ekzekutuar në formë “panenka”.

Vetëm 10 minuta më vonë ishte sulmuesi anësor Enis Gavazaj, që mposhti për herë të dytë Ilion Likën dhe i dha avantazhin Kukësit, ndërsa në minutën e 80’ ishte Kristal Abazaj ,që ekzekutoi saktë një goditje dënimi dhe dërgoi topin për herë të tretë në rrjetë. Kukësi i me fitoren e sotme mban vendin e dytë, por tani vetëm një pikë larg Partizanit kryesues.