Kryeprokurori i ri: Ndërtues e zyrtarë, përgjegjësi maksimale për vdekjet në Durrës e Thumanë

368

Nga Durrësi, Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, foli për një hetim të shpejtë dhe të pavarur ndaj personave përgjegjës që dyshohet se shkaktuan vdekjen dhe plagosjen e shumë njerëzve në tërmetin e 26 nëntorit.

Ka njerëz që kanë shkelur ligjin pasi shumë njerëz kanë humbur jetën. Përgjegjësia që do të mbahet do të jetë maksimale, do të shkojë atje ku është, te ndërtuesit e zyrtarët kudo që provohet se ka elementë të përgjegjësisë penale nuk do të ketë hezitim për asnjë rast. Kam garantuar mbështetjen e plotë do të jenë të bindur se janë të pavarur këtë do ua garantojmë hetuesve.”

Shumë shpejt tha numri një i akuzës do të ketë rezultate të prekshme.

Reagimi i prokurorisë dhe zbatimi i ligjit do të jetë korrekt i prerë dhe në fund do të kemi rezultate të qarta për hetimin. Nga hetim po dalin edhe probleme me legjislacionin në fuqi, me rregullimet dhe mangësitë, në këto kushte hetimi në fund do të shërbejë edhe për të propozuar ndryshime në ligj.

Dyshimeve se godinat e shpallura të pabanueshme janë shembur pa u marrë të gjitha provat e domosdoshme nga oficerët e policisë gjyqësore, Çela iu përgjigj.

Hetimi është përqendruar në objektin e hetimit, nuk kemi shqetësime, të jemi te qetë e të besojmë të heqim dorë nga lajmet që janë shpesh edhe të pavërteta, nuk kam të dhëna që po ndodhin fakte të tillë per zhdukje apo prishje provash.

Ky hetim tha Çela do të shërbejë për të rregulluar legjislacionin në fuqi, pasi nga hetimet e deritanishme prokurorët janë ndeshur me probleme të caktuara, me qëllim që ngjarje të tilla mos të përsëriten më.