Olsian Çela merr çelsat e Prokurorisë së Përgjithshme dhe bën premtimin e parë

480

Pas betimit në Kuvend, Olsian Çela ka marrë këtë të premte detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm.

Në fjalën e mbajtur, Çela teksa shprehu falenderime për ish-kryeprokuroren Arta Marku, theksoi se qëllimi I organit të akuzës është që të rritë besimin tek qytetarët.

Sot është më e rëndësishme se kurrë më parë transparenca që si institucion duhet të sigurojmë ndaj mediave dhe publikut. E falënderoj zonjën Marku për punën e bërë në këto dy vite. Në një fazë tranzicioni ajo ka bërë më të mirën e mundshme në këto kushte. Tani hyjmë në një fazë të re, në krijimin e institucioneve të reja të drejtësisë ku prokuroria ka pësuar ndryshime rrënjësore. Kjo kërkon konceptim të ri.

Ekziston mbështetja dhe kemi kapacitete që t’i japim vendit një të ardhme më të mirë, që të mundësohet që Shqipëria të bëhet pjesë e familjes europiane, ku rezultatet e punës tonë kanë rëndësi të jashtëzakonshme. Ta shohim përditshmërinë e punës si një gjë të zakonshme për të ardhmen e vendit.

E për ta bërë këtë, Çela tha se do të hetojë dosjen e tërmetit të 26 nëntorit. Ai u zotua se do të bëjë drejtësi dhe se të gjithë personat përgjegjës do të vendosen para ligjit.

Përgjigja që duhet të japë prokuroria në rastin konkret duhet të spikasë në raport me institucionet e reja. Sot njerëzit kërkojnë drejtësi. Sot kërkohet që të bëhen gjëra konkrete. Në këtë fatkeqësi për vendin, njerëzit presin nga ne që të vihet drejtësi në vend. Jam i bindur që do të bëjmë një punë të mirë. Çdo gjë nuk shkon vaj, ndryshimet janë pozitive. Kam besimin që vendi është në rrugën e duhur dhe e ardhmja do të jetë më e mirë.