Verifikimi i banesave, ekspertë ndërkombëtarë çdo ditë në terren

125

Grupeve të ekspertëve vendorë të cilët po verifikojnë dëmet në banesa po i shtohen çdo ditë edhe ekspertët ndërkombëtarë. Koordinatori i grupit të menaxhimit të krizës, Blendi Çuçi, tha se asnjë banesë nuk do të mbetet e paverifikuar.

”Kemi një intensitet të shtuar qoftë të ekspertëve vendorë, qoftë ndërkombëtarë. Çdo ditë po vijnë grupe inxhinierësh, ekspertësh që po i atashohen grupeve që kanë dalë në terren për verifikimin e gjendjes fizike dhe përfitoj nga rasti ti bëj thirrje të gjithë banorëve se asnjë banesë nuk do të mbetet e paverifikuar dhe ju lutem duhet pak durim në mënyrë që të krehim të gjithë zonën pa bërë asnjë dallim”.

Çuçi informoi po ashtu se po hartohet lista e ndërtuesve të pallateve me dëme dhe 12 pronarë kanë shprehur gatishmërinë për rikuperimin e dëmeve.

”Prioritet tjetër është hartimi i listës së ndërtuesve të pallateve me dëme dhe këtu mund t’iu them që dje nga takimi që pati mbrëmë kryeministri me ndërtuesit e pallateve që janë dëmtuar për bashkinë e Durrësit, dje kanë shprehur gatishmërinë 12 pronarë që të investojnë në rikuperimin e dëmeve, në rindërtimin e atyre pallateve që nuk kanë marrë goditje në strukturë. Sot do të vazhdojmë me procedurat e përshpejtuara për projektet dhe lejet përkatëse në mënyrë që të fillojmë menjëherë”.