“Tërmet 8 ballësh” në Bilisht…

472

Rikthehet tek fitorja ekipi i “Juban Danjes”. Ai ka luajtur sot në transfertë dhe ka fituar me rezultatin e thellë 8-0 ndaj Bilisht Sport. Kuptohet që për vetë diferencat në mes dy ekipeve, ndeshja është dominuar nga vajzat shkodrane. Ka qenë futbollistja Paula Jaku ajo që ka zhbllokuar shifrat në minutën e 26-të duke i lënë pastaj vendin golave të tjerë.

Në pjesën e parë kanë shënuar edhe futbollistet e tjera Avullija dy herë dhe Selimi dhe kësisoj ky 45 minutësh është mbyllur në shifrat 4-0.

Në fillimin e së dytës ka ardhur goli i pestë, me autore kapitenen Klaudia Rrotani. Më pas ka shënuar sërish Paula Jaku, golin e dytë personal në këtë ndeshje, e pas saj ka qenë rradha e Krasniqit dhe Vishkullit për të kompletuar fitoren e thellë 8-0 ndaj këtij kundërshtari të dobët që jo më kot mban vendin e fundit në tabelën e renditjes.

Fitorja e sotme ka qenë e treta për “Juban Danjen” e cila kësisoj ngjitet në kuotën e 10 pikëve dhe duket se tashmë është vënë në ndjekje të Apolonisë për t’i marrë asaj vendin e dytë në renditje.

Përballja direkte mes këtyre dy ekipeve në Shkodër pas pak javësh, do të përcaktojë edhe faktin se cila do të jetë ndjekësja kryesore e Vllaznisë në këtë kampionat. Nga ecuria e deritanishme, “Juban Danja” po tregon vlera teksa nën drejtimin tashmë të trajnerit Elis Legata, ka bërë mirë dhe duket se ka pretendime ambicioze për këtë kampionat.
© shkodrasport.com