Lulzim Basha merret i pandehur për falsifikim dokumentesh

36

Lulzim Basha merret i pandehur për veprën penale të “falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve”, ndërsa Prokuroria kërkon të pushojë hetimet për veprën penale “kryerjen e veprimeve financiare ose transaksioneve të copëzuara për shmangien nga raportimi, sipas legjislacionit për parandalimin e pastrimit të parave”. Sipas kodit penal, për këtë vepër, “Kur falsifikimi bëhet nga personi që ka për detyrë përpilimin e tyre, dënohet me burgim nga tre gjer në shtatë vjet”.

Prokuroria e Tiranës mbylli dosjen për financimet ruse në SHBA për zgjedhjet e përgjithshme të 2017. Bashkë me kryedemokratin janë edhe Arben Ristani, ish-sekretari i përgjithshëm i PD, dhe Ilir Dervishi, financier i PD.

Në një komunikim për A2, Arben Ristani thotë se është njoftuar përmes një shkrese zyrtare se është marrë i pandehur, me akuzën për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve zyrtare.

“Thelbi i akuzës qëndron se në formularin e plotësuar nga të depozituar në KQZ, nuk është përmendur si shpenzim një shumë prej 500 mijë dollarësh, që sipas akuzës i është paguar “cash” lobistit Muzin nga Lulzim Basha”, shprehet Ristani.

Por ai vetë këmbëngul se akuza është e paargumentuar, pasi nuk provon se ai ka qenë në dijeni të pagesës. “Nuk provohet se kam qenë në dijeni të një pagese të tillë. Së dyti, nuk provohet që këto para janë paguar, e thotë vetëm Muzin. Së treti, nuk jam unë hartuesi, nuk kam firmë. Nuk kam bërë deklarim, falsifikim përmbajtjeje, ose vule. Nuk i kam vënë unë këto”, tha Ristani.

Ndërkohë, Lulzim Basha, pavarësisht marrjes dijeni për mbylljen e dosjes, do të vijojë agjendën e parashikuar për në orën 17:00 në Krujë.