Reshjet përmbytin rrugët dhe bllokojnë trafikun në Tiranë e Durrës

332

Rikthimi i reshjeve në vendin tonë ka risjellë edhe njëherë në vëmendje problematikat me pasojat e tyre në qytetet kryesore të vendit. Pak orë shi kanë mjaftuar për të rikthyer përmbytjet në rrugët e brendshme të qytetit të Durrësit.

Përmbytja e rrugëve ka ndikuar dhe në qarkullimin e mjeteve në disa pjesë të qytetit bregdetar. Disa nga pikat më problematike në qarkullim janë rrethrrotullimi i Shkozetit, ai në hyrje të Durrësi, në Plepa, ku janë krijuar vështirësi në lëvizjen e mjeteve. 

Problematika janë hasur dhe në hyrje të disa prej shkollave 9-vjeçare të qytetit, ku për shkak të lartësisë së ujit, janë krijuar vështirësi në nisjen e procesit mësimor sipas orarit. Po ashtu, zona pranë Stadiumit , ka probleme dhe vështirësi në qarkullim, për shkak të ujit.

Probleme të theksuara me qarkullimin janë evidentuar dhe në qytetin e Tiranës ku reshjet e shiut dhe orari i pikut të njerëzve që shkonin në punë kanë bërë që akset kryesore të kryeqytetit të bllokoheshin për minuta të tëra.