Përmbyset barka në det, 1 fëmijë dhe 1 i porsalindur të vdekur, 4 të humbur.

348

Një barkë që transportonte emigrantë u përmbys në Detin Egje pranë ishullit të vogël Grek të Oinousses, midis Chios dhe bregdetit të Turqisë. Si pasojë e aksidentit një fëmijë dhe një i porsalindur vdiqën. Katër persona të tjerë u shpallën të humbur.

Rojet Bregdetare greke kanë rikuperuar kufomat e dy fëmijëve. Sipas dëshmitarëve, 12 prej emigrantëve janë shpëtuar, por katër persona të tjerë janë ende të zhdukur.

Operacionet e kërkimit dhe shpëtimit vazhdojnë me pjesëmarrjen e një helikopteri dhe një aeroplani. Shkaqet e tragjedisë nuk dihen. Në kohën e aksidentit kushtet e motit ishin të mira. Qindra migrantë dhe refugjatë kanë vdekur vitet e fundit duke u përpjekur të kalojnë Detin Egje në anije të vogla.

Sipas IOM, më shumë se 50 njerëz janë mbytur që nga fillimi i vitit.
Greqia është ‘shtëpia’ e rreth 70,000 refugjatëve dhe emigrantëve, kryesisht sirianë, të cilët kanë ikur nga vendi i tyre që nga viti 2015.

Sipas një marrëveshje të lidhur në vitin 2016 midis Turqisë dhe Bashkimit Europian, Turqia i ka dhënë fund fluksit të migrantëve në pesë ishujt Grekë më afër bregdetit të saj, në këmbim të 6 miliardë dollarëve. Por numri i ardhjeve është rritur në mënyrë të vazhdueshme muajt e fundit.

Kryeministri Grek Kyriakos Mitsotakis tha këtë javë se rreth 3,000 njerëz kanë mbërritur nga Turqia ditët e fundit, duke rritur presionin në objektet e pritjes tashmë të mbipopulluara.