Dom Gjergj Meta: E nesërmja nuk është në dorën tonë.

72

Drejtuesi i Dioqezës së Rrëshenit, Dom Gjergj Meta, ka bërë thirrje për qetësi dhe ka shpërndarë një mesazh për të gjithë shqiptarët që pas panikut nga tërmeti i të shtunës dhe lajmeve që shkaktuan një situatë kaotike mbrëmjen e të dielës, e nesërmja nuk është në dorën tonë dhe jeta jetohet sot.

Mesazhi i Dioqezës Rrëshen

Mos ta ngatërrojmë ligjësinë me ligësinë

Të dashur miq, pas kësaj fundjave plot panik, i ligjshëm pjesërisht, por pjesërisht i pajustifikuar, sidomos kur përhapet nga njerëz të papërgjegjshëm, ndjej t’ju uroj një javë të bukur.

Jeta jetohet sot. E nesërmja nuk është në dorën tonë. Ta lëmë natyrën në ligjësinë e saj e të mos e komprometojmë me ligësinë tonë. Ne kemi në dorë të ndërtojmë marrëdhënie të mira me njëri-tjetrin: kjo është natyra jonë. Toka, universi ka ligjësitë e veta e i rregullon vetë.

Po ta keni vënë re sot në mëngjes dielli ka lindur përsëri e toka rrotullohet rreth tij. E do të vazhdojë të jetë kështu. Të marrim në dorë universin tonë njerëzor.

Ne kemi në dorë ta bëjmë dashurinë forcën tërheqëse të këtij universi njerëzor, duke dashur Zotin dhe njëri-tjetrin. Kështu do të krijojmë komunitet solidar që kthehet në shpresë për të gjithë dhe kemi shumë nevojë, sidomos në çaste të vështira. Lart zemrat e vazhdojmë rrugëtimin! Ditë të bukur!