Macron i irrituar me azilkërkuesit shqiptarë.

406

Presidenti i Francës, Emannuel Macron, doli hapur kundër imigracionit dhe politikave të deri tanishme të mos klasifikimit të imigrantëve ekonomik, refugjatëve dhe azilkërkuesve. Ai kritikoi të gjitha partitë djathta në Francë, të veten po ashtu, për heshtjen e tyre të deri tanishme rreth kësaj çështje, transmeton Gazeta Metro.

Një sondazh i gazetës Le Monde zbuloi se 64 për qind e të anketuarve thonë se nuk ndjehen më në shtëpi në vendin e tyre. Macron thuhet se është irrituar veçanërisht me një rritje të kërkesave për azil nga shqiptarët dhe gjeorgjianët, emigrantë ekonomikë në kërkim të një jete më të mirë.

Presidenti francez Emmanuel Macron po i thotë partisë së tij të qendrës se duhet të ndryshojë qëndrimin e saj borgjez ndaj imigracionit dhe të bëjë dallimin mes azilkërkuesve që largohen si pasojë e luftimeve dhe emigrantëve ekonomikë. Përndryshe, shtoi zoti Macron, qëndrimi i tanishëm do ti shtyjë votuesit në krahët e popullistëve të ekstremit të djathtë.

Paralajmërimi i tij vjen pas treguesve në rritje se periferia e Evropës juglindore së shpejti mund të përballet me një valë të re të azilkërkuesve, duke ngjallur frikën se kontinenti mund të jetë në prag të një krize të re emigracioni, që mund të trazojë edhe më tej politikën evropiane dhe mund të rrisë mbështetjen për popullistët e ekstremit të djathtë.

Në javët e kaluara, ka pasur një rritje të papritur të numrit të refugjatëve që po bëjnë udhëtime të rrezikshme detare nga Turqia në Greqi, duke mbipopulluar kampet tashmë të mbushura të refugjatëve në ishujt grekë të Lesbos dhe Samos.

Duke biseduar të hënën me ligjvënësit nga partia e tij në pushtet, La République en Marche, presidenti francez tha: Pyetja është a duam të jemi një parti borgjeze apo jo? Borgjezia nuk ka asnjë problem me [imigrimin]. Ata kurrë nuk e hasin atë. Shtresa punëtore e përjeton atë. Ai shtoi E majta nuk ka dashur ta shqyrtonte këtë problem për dekada. Shtresa punëtore rrjedhimisht është zhvendosur tani në të djathtën ekstreme.

Zyrtarët francezë shqetësohen se Franca mund të ketë një rritje të mëtejshme të azilkërkuesve për shkak të forcimit të politikave të pranimit dhe rivendosjes nga Gjermania fqinje. Më shumë se një e katërta e një milion emigrantëve morën leje qëndrimi në Francë vitin e kaluar, një rritje me gati 4 për qind krahasuar me vitin 2017. 123,625 refugjatë të tjerë bënë kërkesa për azil, një rritje prej 22.7 për qind në krahasim me vitin 2017.

Qeveria franceze po përgatit disa masa për të parandaluar azilkërkuesit, përfshirë një masë për shkurtimin me 25 për qind të ndihmës sociale për emigrantët që janë në pritje të shqyrtimit të kërkesave të tyre për azil. Kritikët e krahut të majtë kundërshtuan Macron, duke e akuzuar atë për marrjen e një pozicioni të ekstremit të krahut të djathtë për çështjen e imigracionit.

Beteja politike në Francë mbi emigracionin përkon me shenja se Evropa mund të përballet me një valë tjetër emigrantësh nga Lindja e Mesme, duke përkeqësuar edhe në tej kushtet e mjerueshme të azilkërkuesve, kryesisht nga Siria, Afganistani dhe Iraku, të bllokuar në ishujt grekë në Detin Egje.