Gjykata vendos 5 vite burg, Tahiri do të bëjë vetëm 3 vite shërbim prove

339

Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë vendimin për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, duke e dënuar atë me 5 vite burg.

Pas këtij vendimi të shkallës së parë nuk ndryshon gjendja e masës së vendosur nga kjo gjykatë, pra Tahiri do të gjykohet në gjendje të lirë derisa vendimi të jetë i formës së prerë.

Tahiri akuzohej për “korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “grup të strukturuar kriminal” në kuadër të dosjes “Habilaj”.

Sipas Prokurorisë, Tahiri ka garantuar paprekshmërinë e grupit të Habilajve në trafikimin e sasive të mëdha të drogës drejt Italisë. Katër janë episodet e trafikut të listuar nga Prokuroria. i pari në 25.10.13, ku janë bllokuar 1,6 tonë kanabis, 27.2.14, ku janë bllokuar 287 kg, 29.7.14 ku janë bllokuar 293 kg dhe 8-9.5.15 ku janë bllokuar 880 kg.

Ndërsa ishte në pritje të vendimit, ish-ministri i Brendshëm vazhdoi të mbrohej në sallën e gjyqit paraditen e së enjtes, duke përmendur tërthorazi edhe pasuesin në detyrën e ministrit, Fatmir Xhafaj.

“Unë jam këtu si i pandehur vetëm për shitjen e një makine, ndërkohë ka njerëz që nuk mbajnë përgjegjësi as për vëllezërit trafikantë”, mësohet të ketë thënë Tahiri në sallë. “Drejtësia është në dorën tuaj. Nëse ju gjeni një provë për mua unë iki vetë në burg. Kjo çështje është vetë jeta ime”.