Banka e Shqipërisë prezanton kartëmonedhat e reja

485

Banka e Shqipërisë ka prezantuar serinë e re të kartëmonedhave.

Pas më shumë se 20 vitesh, dizenjo e kartëmonedhave të qarkullimit vjen e rifreskuar dhe me elementë sigurie të përmirësuara. Seria e re e kartëmonedhave shqiptare ruan të njëjtën tematikë me kartëmonedhat ekzistuese, si një tematikë e gjithëpranuar nga publiku, por duke e risjellë atë më të freskët në ngjyra e konfigurim.

Ndërkohë, pamja e serisë së re përfaqëson evoluim dhe përmirësim të dizajnit të përgjithshëm dhe elementeve specifike të paraqitura në to, duke u kujdesur për një ekuilibër midis modernes dhe traditës.

Seria e re sjell për herë të parë një kartëmonedhë në polimer, atë 200 Lekë. Polimeri është një material plastik dhe përfaqëson një inovacion në industrinë e prodhimit të parasë, duke qenë më rezistent në përdorim se letra. Përgjithësisht, kartëmonedhat me vlerë nominale të ulët janë ato që kanë normë më të lartë konsumi nga përdorimi, ndaj përdorimi i një materiali më rezistent për to ka rezultuar më eficient.

Kartëmonedhat ekzistuese, të të gjitha prerjeve, do të vazhdojnë të qarkullojnë paralelisht me kartëmonedhat e reja. Ato do të vazhdojnë të kenë kurs ligjor dhe të shërbejnë si mjet pagese.