Shqipëri-Islandë, “braktiset” kombëtarja, atmosferë e vakët në Elbasan

373

Elbasani rikthehet të jetë kryeqendra e futbollit shqiptar, të paktën për një natë, teksa sot në mbrëmje në stadiumin “Elbasan Arena” do të zhvillohet sfida midis Kombëtares shqiptare dhe asaj të Islandës.

Rezultatet e dobëta të kuqezinjve dhe humbja e fundit me Francën, duket se e kanë zbehur disi interesimin karshi kuqezinjve, të cilët tani e kanë shumë të vështirë të sigurojnë një vend për në fazën e grupeve të euro 2020.

Nëse më parë Elbasani “ziente” para një sfide të Kombëtares, me Islandën po ndodh e kundërta, pasi atmosfera në qytet thuajse mungon plotësisht.

Gjithsesi, nuk pritet një brakstisje totale nga ana e sportëdashësve, me numrin e tyre që mund të shkojë deri në 8 mijë të pranishëm. Qytetarët shprehen se do ta shohin ndeshjen, edhe pse jo domosdoshmërisht nga shkallët e stadiumit.

Edhe tregtarët ambulantë që shesin suvenire të Kombëtares nuk janë të shumtë si më parë, ndërkohë që edhe interesimi nga ana e sportëdashësve për të blerë diçka është i ulët.

Shqipëria është pjesë e Grupi H dhe ndodhet në vendin e katërt në kuotën e 6 pikëve. Renditja kryesohet nga Franca, Turqia dhe Islanda me 12 pikë, ndërsa mbyllet nga Moldavia dhe Andorra, respektivisht me 3 dhe 0 pikë.