Kryebashkiakja Voltana Ademi i është përgjigjur “dhëmbë për dhëmbë” kryeministrit Edi Rama

504

Kryebashkiakja Voltana Ademi i është përgjigjur dhëmbë për dhëmbë kryeministrit Edi Rama, sa i përket ndryshimeve në ligj që kreu i shtetit i ka propozuar në sesionin e ri parlamentar.

Teksa ky i fundit ka paralajmëruar se për shkak të keqmenaxhimit, vija bregdetare do të menaxhohet nga pushteti qendror dhe jo ai lokal, kryebashkiakja në ikje, jo vetëm që nuk është dakord me këtë propozim, por kërkon që edhe menaxhimi i liqeneve të bëhet nga Bashkia.

Do të kemi propozime për ta mirëmbajtur ndryshe, jo nga agjencitë qeveritare, por që ti kalojë pushtetit lokal. Është e vetmja mënyrë për të mbajtur të mundshëm për tu shfrytëzuar si një aset territorial, tha Ademi.

Këto deklarata Ademi i bëri teksa mori pjesë në aktivitetin Thriathlon labeat, një kompeticion tre-garësh në not, ciklizëm dhe vrapim, që prej 7 vitesh organizohet në ujërat e liqenit të Shkodrës, për promovimin e turizmit.

Ademi vijon të drejtojë Bashkinë e Shkodrës, pasi kandidati socialist i cili doli fitues në zgjedhjet e 30 qershorit, Valdrin Pjetri u tërhoq nga marrja e detyrës, pasi PD-ja i publikoi dënimin në Itali për trafik droge.