A e dini sa këngë shqiptare titullohen ‘Ti amo’?

395

Janë plot tetë nga shumë të tjera që presim të publikohen në të ardhmen. Ti amo mbahet mend kollaj, shërben si dedikim dhe kur kërkon një këngë me titull Ti amo, të dalin dhe gjithë të tjerat që rrisin shanset për tu parë.

E freskët nga furra, ju shërbejmë Ti amo nga Xheni dhe Geni. Në video gjeni, Xhenin nëpër shkallë dhe mjekrën e Genit, që i hap telashe në aeroport. Natyrshëm, Ti amo e momentit nga Luana, ku këndohen përafërsisht 250 fjalë në refren.

Anxhelo Koci stërmundohet ti thotë Ti amo bukuroshes që ka qejf. Pasi i shmanget, në fund ia thotë ajo vetë e para. Ti amo e Mozzik dhe Veysel është himni i atyre që dashurojnë paranë, qoftë euro, dollar apo franga.

Dy vite më parë, dyshja legjendare Crazy Girl dhe G Bani u rikthyen me Te amo. Edhe nëse nuk e dëgjoni këngën thjesht mbani mend që G-Bani tha kombinoj me suksesin si birra me kikirikun dhe ne e injoruam.

Orinda Huta është gjithashtu pjesë e kësaj liste me një këngë standarde vere, që s’mund të kishte tjetër titull veçse Te amo. Adrian Gaxha ka një këngë të titulluar Ti amo të dua, por nuk gjendet në YouTube. Vin Veli gjithashtu publikoi Te amo vjet në verë, por për një arsye që mbetet mister, teksti është në spanjisht.