Biznesmenët e plazhit, pronarët që reklamojnë me çelësa në duar

386

Ata i sheh çdo ditë në diell ndanë rrugës së plazhit, apo nën hijen e ndonjë automjeti të parkuar, teksa tundin çelësat e apartamenteve që ofrojnë me qira ditore për pushuesit.

Oferta është e mirë, krahasuar me hotelet e motelet e shumta në bregdet. Gushti ka qenë një muaj i begatë. Pushuesit janë të shumtë, po moria e ofertave për akomodim e vështirëson punën.

Bledjoni, një i ri me origjinë nga Skrapari, tregon se ky sezon përveç pushuesve nga rajoni, kryesisht Kosova dhe Maqedonia e Veriut, ka sjellë dhe mjaft të huaj që kërkojnë të pushojnë në plazhin e Durrësit duke ulur shpenzimet përmes marrjes së një banese me qera dhe gatuar vetë. Çmimet për dhomë variojnë nga 15 në 50 euro për natë.

Është mesditë dhe temperaturat janë shumë të larta, ndaj të sapombërritur nga Kosova me automjetet e tyre apo autobuzat e linjës Prishtinë-Durrës, familje dhe grupe të rinjsh vihen në kërkim të dhomave me qera.

Po biznesi familjar në plazh ka nisur të ndiejë dhe presionin fiskal. Legalizimi i aktivitetit të tyre dhe vendosja e taksave nga bashkia përkundrejt presionit të pushuesve për çmime më të ulëta për dhomë shton dilemën nëse do të munden t’ia dalin mbanë e të mbijetojnë.

Janë ditët e fundit të sezonit veror, por pushuesit në plazhin e Durrësit janë të shumtë dhe trafiku i rënduar, duke premtuar për një sezon turistik të zgjatur dhe më shumë të ardhura prej tij. /TCH/