AKU bllokon 141.6 ton produkte të pasigurta, mbyllet magazina

329

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bllokuar 141.6 Ton produkte të pasigurta si dhe ka gjobitur me 3.15 milion lekë një subjekt në Fushë Krujë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në aktivitetin “Magazinë mielli dhe ushqim për blegtorinë”, u konstatua nga ana e AKU se subjekti ushtronte aktivitetin në kushte të papërshtatshme higjeno-sanitare. Nga kontrolli AKU konstatoi pani të lagështisë, minjëve të ngordhur merimangave si dhe të shumë parazitëve ttë tjerë.

Sipas AKU, produktet ushqimore ruheshin në të njëjtin ambjent me plehrat kimike.

Po ashtu, në magazinën e ruajtjes së produktit u evidentua se produktet mbaheshin në ruajtje në kushte të papërshtatshme higjeno-sanitare dhe një pjesë e së cilës e ambalazhuar në thasë 25 kg dhe 50 kg ishin të paetiketuara dhe të pasigurta për konsum.

Sasia e produkteve prej 141.6 ton përbëhej nga 30 ton ushqim për njerëz, kryesisht miell importi turk e miell vendi, dhe rreth 111.6 ton ushqime për kafshët.

Magazina sipas AKU, kishte 18 vite që operonte në treg dhe nuk ishte kontrolluar asnjëherë nga organet kompetente.