Fjetja luksoze e Etildës bëhet çështje qeveritare.

342

Një pjesë e madhe e medias së shkruar në vend, ka nxjerrë dje një lajm, lidhur me faturat e kripura jashtë cdo përfytyrimi, të hoteleve të Ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, kur ajo udhëton për arsye pune në Europë. Një kopje e faturave është publikuar po ashtu. Faktoje.al, ishte burimi i këtij investigimi. Binte në sy përshembull qendrimi i zonjës Gjonaj, një natë në një hotel në Romë, që sipas këtij denoncimi, kishte kushtuar më shumë se 700 euro.

Kjo ka sjellë një revoltë të madhe në rrjetin social, ku një numër i madh ndjekësish kanë reaguar. Ndërkohë, Lapsi.al, ka shkuar edhe më larg. Kjo media ka bërë një hulumtim, dhe ka hedhur dyshime, se paratë janë paguar, ndërkohë që hotelet në realitet nuk kushtojnë kaq shumë. Pra hidhen dyshime se kemi të bëjmë me një abuzim edhe më të madh. Edhe pse ka qënë dje pasdite dhe sot cështja e ditës, Ministrja e Drejtësisë dhe askush nga qeveria, deri pak më parë, nuk kanë reaguar.

Duke e injoruar rastin, duke u përpjekur për ta lënë atë si një spekulim mediatik. Por zyrtare, dhe qeveritare, këtë cështje e ka bërë vetë Kryeministri Rama, i cili ka folur. Sigurisht, në tekniken e tij të tërthortë, duke iu përgjigjur një komentuesi në faqen e tij në FB, por ai ka adresuar pikërisht, denoncimin për fjetjen luksoze të ministres së tij.

Duke reaguar në atë mënyrë, Rama lë të kuptojë se nuk do të pajtohej, nëse do të ishte e vërtetë që një natë në hotel për zonjën Gjonaj, i ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë 700 euro. Kjo sepse Rama e hedh poshtë, ndryshe do ta justifikonte, duke argumentuar se këto janë kosto të pranueshme qeveritare. Tani që shefi i qeverisë e hapi lojën vetë, duhet të nxjerrë prova, ai ose zonja Gjonaj, se faturat e publikuara, nuk qendrojnë, e janë të sajuara. Në fund të fundit, kjo vërtetohet lehtësisht. Ka urdhër pagese dhe mandate për hotelet e ministres, dhe ato janë të protokolluara.