Rindizen vatrat! Zjarr i madh në Shëngjin, flakët pranë banesave, tremben pushuesit!

323

Vatra e zjarrit në malin e Shëngjinit në Lezhë është riaktivizuar sërish.

Terreni malor e ka bërë të pamundur që forcat zjarrëfikëse të arrijnë ta izolojnë vatrën e zjarrit. Mësohet se në ndihmë të zjarrfikësve të Lezhës janë vënë edhe zjarrfikëset nga Tirana, Shkodra dhe Mirdita si dhe forca ushtarake.

Ndërkohë që ditën e sotme, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta tha se me shqetësim të madh e ndjek situatën e shkaktuar nga përhapja masive e zjarreve në disa rajone të vendit, veçanërisht në prefekturat Gjirokastër dhe Lezhë.

Ai kërkoi nga forcat e armatosura, Ministria e Punëve të Brendshme, Drejtoria për mbrojtje dhe shpëtim dhe Agjencia për përballje me kriza, si dhe njerëzit e parë të vetëqeverisjes lokale në këto zona, të ndërmarrin masa urgjente, t’i neutralizojnë zjarret dhe të “të jenë shumë afër qytetarëve të cilët mund të ekspozohen në rrezik nga përhapja masive e zjarreve”.