Në ahur mësova të puthem!

55

Është interesante kur dëgjon për gjëra që kanë ndodhur shumë vjet më parë, e aq më shumë për aventurat e dashurisë së asaj kohe, shkruan “Kosovarja”.

L. T., tash 66 vjeçe, nga Opoja e Prizrenit, mori guximin të tregojë për historinë e dashurisë së saj të parë, histori e cila ndodhi hiq më pak e hiq më shumë se para 50 vjetësh.

Ishte kohë skamje e prapambeturie. As unë e as shoqet e mia nuk merrnim erë nga dashuria, e të mos flasim për seksin… Por, me kalimin e kohës të gjitha i mësova unë, por edhe shoqet e mia…

Ishte vështirë t’i tregoje dikujt për dashurinë në atë kohë, sepse ishte kohë e fanatizmit. Po të hetonin gjë, më nuk të lejonin të largoheshe nga shtëpia.

Prandaj, takimet dhe dashuria bëhej nëpër vendet që kur i tregon sot, shumëkujt i duket rrenë…

Atëherë, kur i mbusha 17 vjet, diçka më ngacmonte, ma dridhte zemrën. Pa dashje mendja më rrinte te një katundar imi. Herë-herë i kullotnim lopët bashkë. As tash nuk e di se çka më shtyri të dashurohem në të: se ishte i shkathtë dhe punëtor, apo se herë-herë rrinim bashkë?!

Katundari, në të cilin qesh dashuruar, e dinte se unë në mëngjes shkoja në ahur për t’i mjelë lopët dhe herë-herë, tinëzisht të tjerëve, futej në ahur ku ndodhesha unë…

Çka mësova në ahur?
Përpos që i milja lopët, në ahur mësova edhe të puthem. Më kujtohet si sot, ishte e mërkurë. Nëna dhe babai shkuan në pazar në Prizren. Më porositën që t’i milja lopët, por edhe ta zija fasulen për drekë.

Pasi ata shkuan, shkova në ahur t’i milja lopët. Katundari im i kishte parë prindërit e mi duke shkuar për në Prizren. Ai erdhi në ahur, sepse e dinte se ishte koha për t’i mjelë lopët.

U ul mbi grazhd dhe më shikonte kah i milja lopët. Filluam të bisedojmë ndërmjet veti. Ishte hera e parë që bisedonim shlirshëm. Por, më shumë isha e turpëruar, sepse e ndieja “zjarrin” në faqet e mia.

Atë ditë u gjeta në kraharorin e tij dhe buzët e mia përjetonin një afsh të pa përshkruar… Isha krejt e hutuar… Kisha harruar se vëllai i vogël në çdo çast mund të vinte në ahur dhe t’më kërkonte.

Deshi fati që ai i kishte mbathë opingat e babait dhe i tërhiqte zvarrë, e që tërheqja e tyre bëri që ta dëgjonim se dikush i afrohej ahurit. Shpejt e shpejt katundarin tim e fsheha pas dere dhe vetë dola jashtë, e mora vëllanë për dore dhe u nisëm drejt shtëpisë, e cila ishte paksa larg ahurit.

Shpëtova nga vëllai, por jo edhe nga ëndrrat!
Dhe, atë ditë shpëtova pa më hetuar vëllai, por nuk shpëtova nga ëndërrimet…. Që nga ajo ditë isha tërësisht e hutuar… Atë ditë që nuk e shihja katundarin tim, as puna nuk më shkonte mbarë.

Një ditë tjetër, ndoshta pas një muaji, pas shtogut të sanës, më tha se do më priste posa të binte terri. Dola tinëzisht familjes, u puthëm dhe bëmë dashuri veshur… U nxehmë aq shumë, sa nuk di se si më ishte grisur fustani krejt!

Dhe, që nga ajo ditë, më dukej vetja se isha tjetër njeri. Nuk isha më ajo e dikurshmja…

Mirëpo, ndodhi ajo që u ndodhte shumicës së të rinjve në atë kohë: katundarin tim e thirrën të shkonte ushtar. E, si ta takoja veç edhe një herë?

Pas pak ditësh ai shkoi në ushtri, kurse mua pas një viti më fejuan.
Dhe, me aq edhe përfundoi ajo punë… O.B. Kosovarja