Jeta në kampin e Tepelenës, e mbijetuara: Bukë me krimba, mish qeni dhe ujë me vajgur

367

Marta Nikolli, ishte vetëm 10-vjeçe kur erdhi në kampin famëkeq të Tepelenës, në vitin 1950 prej Spacit të Mirditës.

Në Ditën Europiane të Përkujtimit të Viktimave të Sistemeve Totalitare, ajo rrëfen se trajtimi në këtë kamp ka qenë tërësisht çnjerëzor.

”Jetë më të keqe nuk ka më. Buka ka qenë me krimba, gjella me krimba, uji me vajguri. Më keq nuk ka ku ta çoj më. Më ka vdekur gjyshja këtu. E kanë varrosur me një vend dhe pas tre javëve e kanë nxjerrë nga aty dhe e kanë çuar tek bregu i lumit. Aty e ka marr rrjedha dhe nuk u mor vesh më gjë për të”, rrëfen e moshuara për ”Report Tv”.

Po të njëjtat dëshmi japin edhe dy pjesëtar të tjerë të kampit, të cilët rrëfejnë se iu është servirur nga “xhelatët” e kampit edhe mishi qeni që ta konsumonin me detyrim. “Kemi vuajtur për të ngrënë.

Më ka thëna nana se unë isha i vogël se edhe mish qeni na fusnin në gjellë. Sa arrihej të vdisnin 30 fëmijë brenda natës. Unë kam pas ardhur me nënë, katër vëllezërit dhe motrën”, tha Marku.

Në kampin e Tepelenës u internuan mbi 3 mijë persona, nga ku humbën jetën mbi 500 të pafajshëm që nga foshnjat, fëmijët, gratë, burrat e të moshuar.