Rasti ”Zhvatja”, arrestohet Prokurorja

366

Policia e Maqedonisë së Veriut arrestoi Prokuroren Speciale, Katica Janeva, gjatë një operacioni të zhvilluar në banesën e saj, në Shkup.

Arrestimi erdhi pas një urdhri të lëshuar nga Prokuroria e Shkupit pas audio-përgjimeve të publikuara për rastin Zhvatja. Janeva akuzohet se mori rryshfet në këmbim të pezullimit të hetimeve për një biznesmen, i cili ishte përfshirë në pastrim parash dhe vepra të tjera penale.

Një ditë më parë, Janeva dëshmoi në Prokurorinë e Shkupit për rastin “Zhvatja” dhe theksoi se nuk ndihej fajtore.

Ndërkohë, Policia e Shkupit do të kontrollojë edhe zyrën e Janevës në Prokurorinë Speciale për të kërkuar prova, të cilat mund të përkeqësojnë pozicionin e saj në këto hetime antikorrupsion.

Gjithashtu, sipas mediave maqedonase, prokuroria ka lëshuar urdhër-arreste dhe për 3 persona të tjerë, dy prej të cilëve janë politikanë.