Mihal Kokëdhima sulmoi familjen spanjolle, zbardhet e vërteta e ngjarjes që ndodhi në ‘Porto Palermo’ (Ja si nisi konflikti)

314

Turistët kanë porositur 5 peshq, ndërkohë që nga restoranti është këmbëngulur t’i sillen 7 të tillë, duke thënë se ky është numri i peshqve që ata kërkuan.

Kamerierët kanë njoftuar edhe Mihal Kokëdhimën, i cili e përgatiste vetë peshkun në kuzhinë. Ai ka dalë me shpejtësi duke i shkuar i irrituar turistëve në tryezën e tyre, së bashku me zgarën me 7 peshq duke ja përplasur në tavolinë.

Ngjarja e 15 gushtit në Porto Palermo, ku Mihal Kokëdhima, pronar i një resorti ndërtuar pa leje në plazh dhe që sot u shemb nga IKMT, sulmoi familjen e miliarderit spanjoll, Eugenio Galdon, ka bërë bujë jo vetëm në Shqipëri, por edhe përtej kufirit.

Ngjarja u zbulua se ishte në kufijtë e çmendurisë, kur Report Tv publikoi një video ekskluzive, teksa Mihal Kokëdhima, kushëri i ish-deputetit Koço Kokëdhima, ishte hedhur mbi kofanon e furgonit me të cilin turistët u larguan nga restoranti Panorma dhe i kërcënonte duke thyer xhamin e përparmë. Mbi 3 kilometra rrugë në kushte të tilla, që terrorizuan familjen spanjolle pas incidenteve të nisura në restorant në lidhje me porosinë që ata kishin dhënë. Kokëdhima, i cili ndodhet aktualisht në burg, tha se nuk i sulmoi turistët, dhe se ata donin të largoheshin pa paguar.

Por asgjë më shumë nuk ishte mësuar mbi atë se cfarë kishte ndodhur realisht në restorant. Familja, që në këtë udhëtim shoqërohej nga dy shqiptarë, shoferi i furgonit dhe një tjetër shqiptar për guidën, rezultoi të ishte një nga familjet më të pasura në botë. Galdon është një nga 200 njerëzit më të pasur në Spanjë, themelues i kompanisë ‘ONO’, që iu shit Vodafone për 7.2 miliardë euro, si dhe ka mbajtur edhe poste të tjera shumë të larta në administratën spanjolle, që do të thotë, se për ta nuk ka qenë aspak problem të paguanin një faturë, sado e lartë të ketë qenë ajo.

Mësohet se gjithçka ka nisur për porosinë që turistët kanë dhënë. Ata kanë porositur 5 peshq, ndërkohë që nga restoranti është këmbëngulur t’i sillen 7 të tillë, duke thënë se ky është numri i peshqve që ata kërkuan. Kamerierët kanë njoftuar edhe Mihal Kokëdhimën, i cili e përgatiste vetë peshkun në kuzhinë. Ai ka dalë me shpejtësi duke i shkuar i irrituar turistëve në tryezën e tyre, së bashku me zgarën me 7 peshq duke ja përplasur në tavolinë. Turistët janë ndjerë të fyer nga ky veprim, dhe pas debateve dhe sulmeve edhe fizike që kanë marrë nga pronari, kanë vendosur të largohen. Por siç edhe video, Kokëdhima i ka ndjekur nga pas duke ju hedhur mbi makinë.

Të shumtë ishin turistët, si shqiptarë, por edhe të huaj, që pas videos u shprehën se të tilla situata i kishin përjetuar edhe vetë ata. Në restorantin e Kokëdhimës të ofrohej çfarë ai dëshironte. Të sillte edhe verë pa e kërkuar, ndërkohë që cmimet ishin të kripura. Por sulmet kanë qenë të shumta edhe ndaj tyre. Një grua që e ka hedhur nga shezloni, dhe të tjerë që i kërcënonte me thikë.

Restoranti Panorma i ndërtuar në një nga zonat më të bukura bregdetare në SHqipëri, në Porto Palermo të Himarës, rezultoi të ishte pa leje, dhe se Kokëdhima ja kishte hedhur në gjithë këto vite (ndërtuar para vitit 2012), përmes futjes në procedurë legalizimi. Mihal Kokëdhima, 51 vjeç rezultoi të ishte një person me precedentë penalë, për vjedhje energjie dhe ndërtim pa leje. Por asnjëherë i arrestuar dhe pa asnjë ditë burg: Vetëm 18 muaj shërbim prove për këto vepra penale që qytetarë të zakonshëm janë arrestuar dhe kanë bërë burg.