Në burg grabitësi serial, mekaniku dhe bojaxhiu që vinte nga Shkodra për të vjedhur në Tiranë.

244

Vinte nga Malësia e Madhe për të grabitur zyra këmbimi, agjenci kreditimi dhe dyqane celularësh nën kërcënimin e armës, mbetet në qeli 27 vjeçari Ergys Bercaj. Para gjykatës ai ka rrëfyer mekanizmin e grabitjeve duke treguar dhe se armën e fshihte pranë banesës, ndërsa ka pranuar autorësinë e tre goditjeve që ka bërë në kryeqytet.

Ndërsa është shprehur se grabiste për të jetuar për shkak se ishte i papunë dhe pa asnjë të ardhur. Për çdo grabitje ai zgjidhte një uniformë të ndryshme ndërsa e fundit e kryer në agjenci kreditimi me një shifër prej 150 mijë lekësh, Brecaj ishte veshur me kominoshe si bojaxhi dhe mbante në kokë një kapele.

Janë pamjet e kamerave të sigurisë që bindën policinë se autori i grabitjeve në kryeqytet nën kërcënimin e armës në intervale çdo dy javë ishte 27-vjecari Ergys Bercaj. Bercaj u prangos të premten pasdite nga policia e komisariatit numër dy në Tiranë ndërsa prej disa ditësh mbahej në vëzhgim.

Oficerëve të policisë ai u ka treguar edhe armën, ndërsa tashmë është nën akuzë për armëmbajtje pa leje dhe vjedhje me armë e dhunë kryer më shumë se një herë.