Partizani fiton Superkupën e Shqipërisë

316

Partizani e ka nisur sezonin e ri me trofe, duke mposhtur në finalen e Superkupës së Shqipërisë skuadrën e Kukësit, me rezultatin 4-2 pas kohës shtesë. Ndeshja ka filluar shumë mirë për Partizanin që ka qënë dominues mbi kundërshtarin në minutat e para dhe ka arritur të gjejë rrugën e rrjetës që në minutën e 6-të me anë të Esat Malës.

Loja e mirë e të kuqve vazhdon të cilët janë superior në lojë, krijojnë raste por nuk arrijnë të finalizojnë. Kur dukej se Partizani kishte në kontroll lojën, Kukësi arrin të gjejë barazimin me anë të Mustës në minutën e 39-të. Me barazimin 1-1 mbyllet fraksioni parë i ndeshjes.

Pjesa e dytë fillon me Kukësin në sulm, që është i pafat sepse Et’hemi godet traversën në minutën e 47-të i vetëm përballë portierit Hoxha.

Këmbëngulja dhe loja më e mirë e kukësianëve konkretizohet me golin e Mustës në minutën e 56-të, që shënon një gol të bukur nga goditja e dënimit. Loja merret në kontroll nga verilindorët që i afrohen dhe golit të tretë dhe të sigurisë me anë të Malikit që godet traversën.

Kur gjithçka dukej se po shkonte drejt fundit, Partizani barazon me Brown në minutën e 88-të. Sulmuesi xhamajkan shfrytëzon në mënyrën më të mirë krosimin e Trashit. Ky gol i dërgoi skuadrat në shtesë me rezultatin 2-2.

Shtesa e parë prej 15 minutash fillon me një Partizan ndryshe nga pjesa dytë, dhe gjen menjëherë rrugën e rrjetës me anë të Brown, në minutën e 95-të. 4 minuta më pas është përsëri Broën që vulos rezultatin 4-2 për Partizanin. Rezultati nuk ndryshon deri në fund dhe Partizani bëhet fituesi i Superkupës së Shqipërisë për edicionin 2019.