Tos Baxhaku ka ikur…!

426

Tos Baxhaku u shua sot! Nga kjo botë iku një njeri i mirë. Sot iku përgjithnjë një njeri i lirë, miku i të gjithëvë…

Nuk e di kë të telefonoj në 9 janar kur të jetë ditëlindja jote, nuk e di çfarë të them kur të ulem në kafenë tënde të preferuar, nuk e di me çfarë si do ti lexoj shkrimet e tua apo të dëgjoj rrëfimet e mençura të reportazheve që ti stilove si askush tjetër.

Të them që isha miku yt, jo vetëm që do të më duheshin shpatulla të forta për ta mbushur, do të më duhej edhe të rreshtohesha në fundin e një radhe të gjatë njerëzish, ashtu siç jam i sigurt që do të më shikonin vërenjtur Mond Laçi, Tor Pustina apo Bajram Peci.

Asnjëherë nuk më thirre ne emër, por me atë dellin tend prej elbsanlliu më thoje Dajë! Aq e shpeshtë u bë kjo gjë, sa shumë njerëz edhe sot e kësaj dite e dinë që unë jam nipi yt. Sa mirë do të ishte, sa krenar do të isha, por sa trishtim e sa dhimbje kur mendoj se nuk do ta dëgjoj me atë zërin e butë që të dilte përtuar nën mustaqe.

Të thuash fjalë të bukura për ty Dajë sot nuk do të mjaftonin të gjitha gjuhët e botës. Sot nuk mund të thuash as gjëra të mençura sepse ato i ke harxhuar vetë, teksa na ke mësuar të gjithëve historitë e gazetarisë, historitë e jetës. Nëse s’të vjen keq ne edhe sot do të heshtim, ashtu siç bënim duke dëgjuar rrëfimet e tua të magjishme. Do të heshtim!

Ti gjithnjë ikje larg, ikje vetëm, ashtu pa bërë zë, duke u çapitur, me shtëllugën e tymit të duhanit pas vetes, e erën e akoolit që nuk bezdiste askënd. Ikje drejt lirisë që askush nuk e kuptoi se sa e shtrenjtë ishte për ty. Ikje për shumë kohë, e ktheheshe duke buzqeshur, i mbushur me jetë dhe lajme të mira nga shumë e miq e shokë anembanë vendit.
Edhe sot ke ikur larg, vetëm, si në atë shtegtimin e zakonshëm, duke kërkuar një Tunel të ri, të pazbuluar, të pafund, por duke lënë pas krahëve një dritë të bardhë, atë të lirisë, të lirisë që vetëm ti ja dije vlerën.

Sot më duhet që emrin tënd ta shkruaj me lot dhe s’mund të të them Lamtumirë, vëllai im, mësuesi im, Daja im!

Nga Elert YZEIRI