Pjetri nuk është kriminel, por fshehja e ngjarjes është e patolerueshme

339

Kryeministri Edi Rama e cilëson fshehjen së dënimit të Valdrin Pjetrit në Itali si të patolerueshme.

Megjithatë ai shton se Valdrin Pjetri nuk është kriminel pasi bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur qysh në moshën 19 vjeç e për më tepër që ai ka shërbyer në administratë qe në kohën e PD.

Kreu i qeverisë propozon që të hartohet një ligj për afate verifikimi shtetëror të kandidaturave para regjistrimit të tyre në zgjedhje.

Valdrin Pjetri nuk është kriminel! Ai ka shërbyer në administratë si nëpunës korrekt qysh në kohën e qeverisjes së PD. Çfarëdo të ketë bërë 19 vjeç nuk e bën kurrësesi njeriun një kriminel! Por fshehja e ngjarjes është e patolerueshme dhe pasojat për Shkodrën të pajustifikueshme! Partitë nuk verifikojnë dot të dhëna individuale jashtë afateve të përcaktuara nga shtetet për dëshminë e penalitetit. Ato merren vetëm me kërkesë nga policia ose prokuroria. Koha të fusim në ligj afate verifikimi shtetëror të kandidaturave para regjistrimit të tyre në zgjedhje shkruan Rama në Twitter.

Sipas Ramës, Valdrin Pjetri duhet të përjashtohet dhe të marrë të gjitha përgjegjësitë në lidhje me vetëdeklarimin e remë në formularin e dekriminalizimit.

Një kandidat që gënjen në mirëbesim dhe në formularin e vetëdeklarimit s’mund të lerë në baltë zgjedhësit dhe partinë që e ka besuar. Ai duhet të përjashtohet nga gara pa mundur të regjistrohet në zgjedhje dhe ta marrë të plotë gjithë përgjegjësinë e vetëdeklarimit të rremë

Rama paralajmëron më tej se ka ardhur koha që të nisë verifikimi shtetëror I të gjitha vetëdeklarimeve të politikanëve e punonjësve të shtetit me qëllim që çdo kush që ka mashtruar të mbajë përgjegjësi para ligjit.

Jo vetëm kaq,po është koha të nisë verifikimi shtetëror i të gjitha vetëdeklarimeve të politikanëve e punonjësve të shtetit që kanë firmosur.Çdo vetëdeklarim i rremë duhet të sjellë përjashtim dhe dënim penal. Përgjegjësia individuale s’mund të ketë më asnjë fije kosto kolektive.