Dy fakultete në Universitetin e Tiranës nuk përmbushin kushtet për tu hapur në vitin e ri akademik 2019-2020.

139

Ky është konkluzioni i ekspertëve të Ministrisë së Arsimit, pas verifikimeve në terren të kapaciteteve pritëse, bazuar në kuotat e deklaruara nga Universiteti. Më problematikët rezultojnë Fakulteti i Gjuhëve të Huaja dhe ai i Drejtësisë.

Ndërsa i pari nuk plotëson kriteret infrastrukturore për të pritur numrin e studentëve që dëshiron, i dyti me kapacitetet akademike që ka, nuk plotëson standardet e parashikuara. Të dyja këto shkelin ligjin e arsimit të lartë dhe vendimin e qeverisë për hapjen, riorganizimin e universiteteve. Si fillim, u është nisur rekomandimi, që këshillon Senatin Akademik të përmirësojë këto raporte, duke ulur numrin e kuotave.

Senati Akademik i Universitetit të Tiranës të marrë masa për rishikimin e kuotave për pranimin e studentëve të rinj për vitin akademik 2019-2020 në Fakultetin e Drejtësisë, Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, Institutin e Studimeve Europiane dhe Departamentin e Gjuhës Angleze në filialin Sarandë.