Katër kandidatët në garën për prokuror të përgjithshëm

345

Që prej datës 2 maj Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka në shqyrtim dosjet e aplikimit të 4 kandidatëve për prokurorë të përgjithshëm. Gara për kreun e akuzës zhvillohet mes 3 prokurorëve dhe një avokati.

Kryeprokurorja aktuale, Arta Marku është një nga emrat e përfolur se mund të rizgjidhet në këtë post. Ajo u zgjodh nga Kuvendi i Shqipërisë me 69 vota me statusin si e përkohshme megjithatë e ka mbajtur këtë post për rreth 18 muaj. Markut ju dha mundësia të vazhdojë detyrën madje dhe të kandidojë për kryeprokurore megjithëse në dy shkallë të vettingut ajo nuk u vlerësuar shumë mirë përsa i përket performancës së saj

Momentet e saj të paqarta kanë të bëjnë me vendimet për emërimet dhe transferimet e prokurorëve, gjë që sipas disa konstitucionalistëve i tejkalon kompetencat e saj. Një tjetër moment që do të mbahet mend nga kryesimi i organit më të lartë të akuzës në kohën e Markut është se ajo u padit nga vartësit e saj për shkelje të kompetencës.

Olsian Çela prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda është një kandidat tjetër i fortë. Ai ka një eksperiencë të gjatë pune dhe mbahet mend si prokurori që çoi në qeli nipin e ish-diktatorit Enver Hoxha bashkë me dy kolumbianë, në atë që u quajt dosja “Xibraka”. Çela u vlerësua me notën maksimale nga komisioni i vetting-ut në dy shkallët e tij

Një kandidate tjetër që konsiderohet e kompletuar është Fatjona Memçaj. Ajo ka përfunduar shkollën e Magjistraturës në vitin 2002 dhe ka kryer studimet për doktoraturë në universitetin Middlesex Londër. Ndër çështjet e saj me emër mbahet mend ajo në Apel kundër Kastriot Ismailajt. Memçaj është edhe lektore në universitetin e Tiranës. Ajo kaloi dy shkallët e vetting-ut me sukses, pa u kapur në shkelje pas hetimit të 5 çështjeve dhe pasurisë së vënë ndër vite. Ajo njihet gjithashtu edhe si një nga prokuroret e përkrahura nga ish-kryeprokurori Adriatik Llalla.

Lulzim Alushajt është i vetmi kandidat i listës që ka statusin e avokatit. Alushaj 14 vite më parë arriti të marrë titullin profesional “Avokat” nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë në Itali, dhe mban gradën doktor i shkencave juridike, kualifikim të cilin e përfundoi me rezultate të larta në Napoli të Italisë. Fakti se ai ka përfunduar studimet doktorale në një nga vendet e Bashkimit Europian i jep përparësi. Avokat Alushaj gjatë periudhës 2000-2004 është diplomuar në Jurisprudencë në Universitetin e Bolonjës dhe po në të njëjtin universitet përfundoi masterin për jurist ndërkombëtar. Opinion.al